Afrika e Jugut shkakton befasi, kalon në fazën nokaut të Botërorit 2026
B.H./RTKlive
Afrika e Jugut ka realizuar një nga rezultatet më të rëndësishme të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur Korenë e Jugut dhe duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/16-tës si e dyta në Grupin A.
Goli vendimtar i takimit u shënua nga Thapelo Maseko në minutën e 63-të, duke i dhënë tri pikë të arta përfaqësueses afrikano-jugore dhe duke konfirmuar një tjetër surprizë në këtë edicion të turneut.
Afrika e Jugut ka qenë një nga skuadrat më të organizuara në fazën e grupeve, duke u dalluar për disiplinë taktike dhe efikasitet në momentet vendimtare.
Me këtë fitore, Afrika e Jugut e mbyll Grupin A në vendin e dytë me katër pikë, pas Meksikës që ka siguruar maksimumin e pikëve dhe vendin e parë në grup.
Në anën tjetër, Koreja e Jugut përfundon fazën e grupeve me tri pikë dhe mbetet në pritje të rezultateve nga grupet tjera për të parë nëse mund të kualifikohet si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta.
Në fazën e 1/16-tës, Afrika e Jugut do të përballet me Kanadanë, që është edhe çifti i parë i konfirmuar i fazës nokaut të Botërorit 2026.























