SHBA humb ndaj Turqisë, por kalon në fazën nokaut si fituese e grupit
B.H./RTKlive
Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e mbylli fazën e grupeve në Kupën e Botës 2026 me humbje 3:2 ndaj Turqisë, por ruajti vendin e parë në grup dhe siguroi kalimin në fazën nokaut, ku do të përballet me Bosnje dhe Hercegovinën.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “SoFi” në Inglewood të Kalifornisë, Turqia shënoi golin e fitores në sekondat e fundit të kohës shtesë. Kaan Ayhan realizoi në minutën e tetë të shtesës, duke i dhënë ekipit të tij fitoren e vetme në këtë Botëror, ndonëse turqit ishin eliminuar tashmë.
SHBA kaloi në epërsi që në minutën e tretë me Auston Trusty, por Turqia përmbysi rezultatin falë golave të Arda Güler dhe Orkun Kökçü. Në fillim të pjesës së dytë, Sebastian Berhalter barazoi në 2:2, para se Ayhan të vuloste rezultatin përfundimtar 3:2.
Përzgjedhësi i SHBA-së, Mauricio Pochettino, bëri plot nëntë ndryshime në formacion, duke pushuar shumicën e titullarëve dhe lojtarët që rrezikonin pezullimin për shkak të kartonëve. Pas ndeshjes, ai theksoi se objektivi kryesor ishte sigurimi i vendit të parë në grup.
“Duhet të kujtojmë se e fituam grupin. Qëllimi ynë është të bëjmë histori duke fituar Kupën e Botës, jo vetëm duke fituar ndeshjet e fazës së grupeve”, deklaroi Pochettino.
Mesfushori Christian Pulisic u rikthye në fushë në minutën e 58-të, pas mungesës për shkak të një dëmtimi në pulpë, ndërsa Sebastian Berhalter u shpreh se humbja nuk do të ndikojë në moralin e ekipit para fazës eliminuese.
Me këtë rezultat, SHBA e mbyll Grupin D në vendin e parë dhe të mërkurën do të përballet me Bosnje dhe Hercegovinën në 1/16 e finales, ndërsa Turqia largohet nga turneu me tri pikë.























