Australia barazon me Paraguain dhe siguron kualifikimin në fazën nokaut
BKT
Botërori 2026

Australia barazon me Paraguain dhe siguron kualifikimin në fazën nokaut

B.H./RTKlive

Australia ka siguruar një vend në fazën nokaut të Kupës së Botës 2026, pasi barazoi pa gola (0:0) me Paraguain në ndeshjen e fundit të Grupit D, të zhvilluar në Santa Clara të Kalifornisë.

Ky rezultat i mjaftoi "Socceroos" për ta mbyllur grupin në vendin e dytë me katër pikë, pas Shteteve të Bashkuara, dhe për të siguruar kalimin në 1/16 e finales. Ndërkohë, Paraguai gjithashtu e përfundoi fazën e grupeve me katër pikë, por mbetet në pritje për të mësuar nëse do të avancojë si një nga skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë.

Australia ishte skuadra më kërkuese gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes. Jackson Irvine rrezikoi që në minutën e tretë, ndërsa Jordan Bos, Aiden O'Neill dhe Cristian Volpato krijuan disa aksione të rrezikshme nga krahu i djathtë, por nuk arritën të mposhtnin portierin Orlando Gill.

Paraguai reagoi pas pushimit me disa ndryshime në formacion, por asnjëra skuadër nuk arriti të krijonte raste të pastra shënimi. Mundësia më e mirë në fund të takimit i takoi Jordan Bos, goditja e të cilit përfundoi ngushtë jashtë portës.

Mesfushori australian Ajdin Hrustic u shpreh krenar për arritjen e ekipit të tij.

"Jam krenar për djemtë dhe për punën që po bën trajneri. Patëm dy ose tri raste ku mund të kishim shënuar, por më e rëndësishmja është se arritëm diçka të veçantë për vendin tonë. Tani do ta shijojmë këtë moment dhe më pas do të përgatitemi për sfidën e radhës", tha Hrustic.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i Paraguait, Gustavo Gómez, theksoi se skuadra e tij e kishte objektiv marrjen e një pike.

"Ishte një ndeshje e fortë dhe e barabartë. Në pjesën e parë e patëm të vështirë të gjenim ritmin, por pas pushimit u përmirësuam. Më e rëndësishmja ishte pika e fituar dhe besojmë se me këtë rezultat kemi bërë një hap drejt kualifikimit", deklaroi ai.

Australia në 1/16 e finales do të përballet me skuadrën që do ta përfundojë Grupin G në vendin e dytë, ndërsa Paraguai pret rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të vazhdojë garën në Botërorin 2026.


MË SHUME NGA Botërori 2026