Arnold para ndeshjes me Senegalin: Iraku nuk ka asgjë për të humbur
BKT
Botërori 2026

Arnold para ndeshjes me Senegalin: Iraku nuk ka asgjë për të humbur

Uran Krasniqi / RTKLive

Trajneri i Irakut, Graham Arnold, ka deklaruar se skuadra e tij do të futet pa presion në ndeshjen vendimtare ndaj Senegalit në Grupin I të Kupës së Botës, duke theksuar se irakianët nuk kanë asgjë për të humbur.

Iraku dhe Senegali do të përballen të premten në stadiumin në Toronto, në një sfidë ku të dyja kombëtaret ende kanë shanse për të siguruar kualifikimin në fazën e 32 skuadrave më të mira.

Të dy ekipet kanë humbur dy ndeshjet e para në grup. Senegali u mposht 3:1 nga Franca dhe 3:2 nga Norvegjia, ndërsa Iraku pësoi humbje 4:1 ndaj Norvegjisë dhe 3:0 kundër Francës.

Para ndeshjes, Arnold është shprehur optimist dhe ka kërkuar nga lojtarët e tij të besojnë te fitorja.

"Ndeshja kundër Senegalit, kampionit të Afrikës, do të jetë një tjetër përvojë e vlefshme për ne. Nuk kemi asgjë për të humbur, por gjithçka për të fituar. Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët të jenë të përgatitur mendërisht për të hyrë në fushë dhe për të fituar", ka deklaruar Arnold.

Ai ka shtuar se skuadra duhet të japë maksimumin nga minuta e parë deri në të fundit.

"Duhet ta nisim ndeshjen me mentalitet pozitiv dhe të japim gjithçka. Për mua është shumë e rëndësishme që secili lojtar të japë më të mirën e tij dhe që ekipi të jetë i përgatitur psikologjikisht. Në stërvitjen e fundit djemtë treguan një qasje të shkëlqyer dhe janë shumë të motivuar të luajnë për veten, familjet e tyre dhe për ekipin", është shprehur tekniku i Irakut. 

Arnold e ka cilësuar Grupin I si ndoshta më të fortin e gjithë Botërorit.

"Kemi pasur privilegjin të luajmë kundër Francës dhe tani Senegalit. Besoj sinqerisht se ky është ndoshta grupi më i vështirë në Kupën e Botës. Është nder të përballemi me lojtarë të këtij niveli, sepse kjo do t'i ndihmojë futbollistët tanë të përmirësohen në të ardhmen", është shprrehur ai. 

Trajneri australian ka theksuar se nuk mendon kurrë për barazimin si objektiv.

"Unë gjithmonë e drejtoj ekipin me synimin për të fituar. Asnjëherë nuk e dërgoj skuadrën në fushë vetëm për të mos humbur. Gjithçka varet nga mentaliteti fitues. Lojtarët duhet të besojnë te vetja, të luajnë me energji dhe të përqendrohen te paraqitja e tyre. Për mua ekziston vetëm një objektiv, fitorja", ka thënë ai. 


MË SHUME NGA Botërori 2026