Senegali mposht Irakun po mbetet në pritje për kualifikimin
BKT
Botërori 2026

Senegali mposht Irakun po mbetet në pritje për kualifikimin

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 23:12) - Senegali ka regjistruar një fitore bindëse 5:0 ndaj Irakut në ndeshjen e fundit të Grupit I të Kupës së Botës 2026, por ende nuk e ka të sigurt kualifikimin në fazën eliminatore.

Afrikanët e kanë nisur ndeshjen në mënyrë ideale, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt. Pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Lamine Camara, Habib Diarra e ka devijuar topin në rrjetë për rezultatin 1:0.

Situata për Irakun është vështirësuar edhe më shumë në minutën e trembëdhjetë, kur Rebin Sulaka është ndëshkuar me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Sadio Mane, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak.

Pavarësisht inferioritetit numerik, irakianët kanë rezistuar deri në pjesën e dytë, por më pas Senegali ka shpërthyer. Ismaila Sarr ka realizuar për 2:0, ndërsa vetëm pak çaste më vonë Pape Gueye ka shënuar një supergol për 3:0.

Mesfushori senegalez nuk është ndalur me kaq dhe ka realizuar edhe golin e katërt të ekipit, duke kompletuar dygolëshin personal. Në minutat e fundit, edhe zëvendësuesi Iliman Ndiaye e ka gjetur rrugën e rrjetës për rezultatin përfundimtar 5:0.

Kjo është fitorja më e thellë e një kombëtareje afrikane në historinë e Kupës së Botës. Me këtë sukses, Senegali e mbyll Grupin I në vendin e tretë dhe renditet përkohësisht i pesti në tabelën e skuadrave të vendeve të treta, duke pritur rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të sigurojë një vend në fazën e 1/16 së finales.

Në anën tjetër, Iraku e përfundon aventurën në Kupën e Botës pa asnjë pikë, duke regjistruar humbjen e tretë në fazën e grupeve dhe duke mbetur pa fitore në historinë e paraqitjeve të tij në këtë kompeticion.

Senegali në avantazh me gola dhe me një lojtar më shumë se Iraku

Senegali po udhëheq 1–0 ndaj Irakut pas dyzet e pesë minutave të para në ndeshjen e Grupit I të Kupës së Botës 2026.

Goli i vetëm i pjesës së parë ka ardhur shumë herët, në minutën e katërt, kur Habib Diarra e ka shfrytëzuar një goditje nga këndi dhe e ka dërguar topin në rrjetë për 1–0.

Ndeshja është tensionuar në minutën e dhjetë, kur pas një ndërhyrjeje të VAR-it, gjyqtari fillimisht e ka shqyrtuar një karton të mundshëm të kuq për Rebin Sulaka.

Pas rishikimit, vendimi është konfirmuar dhe lojtari i Irakut është ndëshkuar me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak për pjesën e mbetur.

Kësisoji, Senegali e mbyll pjesën e parë në avantazh dhe me epërsi numerike në fushë.


MË SHUME NGA Botërori 2026