Kepi i Gjelbër shkruan historinë, në fazën nokaut e pret Argjentina
B. H. | RTKlive
Kepi i Gjelbër ka shkruar një nga historitë më të veçanta të Kupës së Botës 2026, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
Skuadra debutuese në Botëror barazoi 0-0 me Arabinë Saudite në ndeshjen e fundit të Grupit H, rezultat që i mjaftoi për ta mbyllur grupin në vendin e dytë, pas Spanjës.
Arabia Saudite kishte nevojë për fitore për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, por nuk arriti të thyente mbrojtjen e disiplinuar të Kepit të Gjelbër. Ndeshja u zhvillua me kujdes të madh nga të dyja skuadrat dhe me pak raste të pastra shënimi.
Pas përfundimit të sfidës, lojtarët e Kepit të Gjelbër e pritën me emocione edhe rezultatin e ndeshjes tjetër të grupit, ku fitorja e Spanjës ndaj Uruguait ua konfirmoi kualifikimin historik.
Mesfushori Deroy Duarte, i shpallur lojtari i ndeshjes, nuk e fshehu emocionin pas këtij suksesi.
“Sinqerisht, është çmenduri. Ndihem sikur jam në ëndërr. Që kur isha fëmijë kam ëndërruar të luaj në një Kupë Bote. Të jem lojtari i ndeshjes dhe të bëj histori është diçka që nuk mund ta kisha imagjinuar”, deklaroi Duarte.
Ai foli edhe për përballjen e radhës ndaj Argjentinës, duke theksuar se skuadra duhet të besojë deri në fund.
“Së pari, të festojmë. Jemi shumë të lumtur. Shpresoj që të gjithë njerëzit e Kepit të Gjelbër të jenë të lumtur. Nga nesër do të fokusohemi te ndeshja tjetër. Është kundër Argjentinës, apo jo? Ndeshje e vështirë, por duhet të besojmë. Gjithçka është e mundur”, shtoi ai.
Në fazën e 1/16-tës së finales, Kepi i Gjelbër do të përballet me Argjentinën, kampionen në fuqi të botës.























