Spanja fiton grupin, Uruguai eliminohet nga Botërori
BKT
Botërori 2026

Spanja fiton grupin, Uruguai eliminohet nga Botërori

B. H. | RTKlive

Spanja ka siguruar vendin e parë në Grupin H të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Uruguain me rezultat 1-0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Golin vendimtar për kampionen e Evropës e shënoi Alex Baena në minutën e 42-të, pas një aksioni nga krahu i majtë dhe një gabimi të portierit Fernando Muslera.

Për Musleran, ky ishte një tjetër moment i vështirë në këtë Botëror. Portieri 40-vjeçar nuk u kthye në fushë për pjesën e dytë, teksa vendin e tij e zuri Sergio Rochet.

Spanja e kontrolloi lojën për pjesën më të madhe të takimit, duke mbajtur posedimin dhe duke e menaxhuar epërsinë deri në fund. Uruguai kërkoi golin e barazimit, por pa arritur të krijonte mjaftueshëm rrezik për të shmangur eliminimin.

Në minutat e fundit, Ferran Torres pati mundësi ta mbyllte përfundimisht ndeshjen, por goditja e tij u ndal nga traversa.

Mbrëmja e vështirë e Uruguait u përmbyll me kartonin e kuq të Agustin Canobbios në kohën shtesë, pas një ndërhyrjeje ndaj Pau Cubarsit.

Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, mori përgjegjësinë për eliminimin e skuadrës së tij.

“Nuk arrita ta maksimizoj potencialin e lojtarëve të Uruguait. Me zëvendësimin e Valverdes kërkova të kishim më shumë prani në sulm”, deklaroi Bielsa.

Ndërkohë, heroi i Spanjës, Alex Baena, e cilësoi golin ndaj Uruguait si një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij.

“E dinim se do të ishte e vështirë. Ne luanim për vendin e parë, ndërsa ata për mbijetesë. Ndoshta nuk ishte ndeshja më e bukur, por ishte e nevojshme të luanim kështu. Ky është ndoshta një nga golat më të rëndësishëm të karrierës sime”, tha Baena.

I kënaqur me paraqitjen e skuadrës ishte edhe përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente.

“Jam shumë i lumtur. Kjo skuadër ka qenë e jashtëzakonshme. Përpjekjet tona na sollën në krye të grupit. Është një rrugë e gjatë, por kjo skuadër pranon pak gola dhe është shumë e rrezikshme në sulm”, u shpreh ai.

Me këtë fitore, Spanja e mbylli Grupin H në vendin e parë me shtatë pikë dhe në fazën e 1/16-tës së finales do të përballet me ekipin e dytë të Grupit J.

Kepi i Gjelbër kaloi tutje si i dyti i grupit me tri pikë, ndërsa Uruguai dhe Arabia Saudite u eliminuan me nga dy pikë.


MË SHUME NGA Botërori 2026