Hassan: Egjipti nuk i frikësohet askujt
Uran Krasniqi/RTKLive
Kombëtarja e Egjiptit ka shkruar histori në Kampionatin Botëror 2026, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
“Faraonët” barazuan 1:1 me Iranin në ndeshjen e fundit të grupeve dhe e mbyllën fazën e parë pa asnjë humbje. Egjipti avancoi në mesin e tridhjetë e dy skuadrave më të mira, ndërsa në raundin e ardhshëm do të përballet me Australinë.
Trajneri Hossam Hassan është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjet e ekipit të tij dhe ka theksuar se lojtarët e tij janë gati të përballen me çdo kundërshtar.
“Jemi të pamposhtur dhe krenarë për këtë. E dija që faza e grupeve do të ishte shumë e vështirë, por lojtarët më kanë bërë krenar dhe u kanë dhuruar tifozëve një gëzim të madh. Nuk mendojmë për kundërshtarin e radhës, sepse jemi gati të luajmë me këdo dhe nuk i frikësohemi askujt”, ka deklaruar Hassan.
Megjithatë, ai e ka konfirmuar se mesfushori Mohannad Lashin do të mungojë për shkak të pezullimit, ndërsa Hossam Abdel-Magid vazhdon të jetë i lënduar. Sipas tij, Egjipti ka një skuadër të kompletuar dhe çdo futbollist është i gatshëm të japë kontribut.
Trajneri egjiptian ka folur edhe për zëvendësimin e Mohamed Salah, duke zbuluar se sulmuesi kërkoi vetë të largohej nga loja pasi ndjeu shqetësime fizike. Stafi mjekësor pritet të përcaktojë shkallën e lëndimit të tij.
Mesfushori Mahmoud Saber është shprehur optimist para sfidës me Australinë, duke theksuar se skuadra do ta analizojë mirë kundërshtarin për të vazhduar aventurën historike në Botërorin 2026.
Kjo është pjesëmarrja e katërt e Egjiptit në një Botëror.























