Portieri i Kepit të Gjelbër: “Messi është ëndërr për çdo futbollist”
Uran Krasniqi / RTKLive
Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, ka thënë se për çdo futbollist, të luajë kundër Argjentinës dhe Lioner Messi është një ëndërr.
Kepi i Gjelbër do të përballet me kampionen e botës, Argjentinën, në kuadër të 1/32 të finales së Botërorit 2026.
“Për çdo futbollist, të luajë kundër Argjentinës dhe Messit është një ëndërr. Ndoshta askush nuk e kishte imagjinuar se do të arrinim këtu, por ne e dinim se kishim cilësi”, ka thënë Vozinha.
Portieri dyzet vjeçar, i cili është edhe zëvendëskapiten i kombëtares, ka qenë një nga figurat kryesore të rrugëtimit historik të Kepit të Gjelbër në Kupën e Botës. Ai e mbajti portën të paprekur për herë të dytë në turne, në barazimin ndaj Arabisë Saudite, rezultat që i siguroi ekipit afrikan kalimin në fazën e eliminimit direkt.
Kepi i Gjelbër, një vend ishullor me rreth 500 mijë banorë, është bërë kombëtarja me popullsinë më të vogël që ka arritur fazën nokaut të një Botërori.
Sipas Vozinha, kjo arritje është dëshmi e cilësisë dhe karakterit të skuadrës.
“E dimë se vijmë nga një vend i vogël, por kemi ardhur këtu për të garuar. Kemi shumë cilësi në kombëtare. Ndoshta shumë njerëz mendonin se nuk ishim mjaftueshëm të mirë, por kemi treguar se mund të përballemi me më të mirët”, ka deklaruar ai.
Paraqitja e tij ndaj Spanjës, ku Kepi i Gjelbër mori një rezultat të rëndësishëm, e vendosi portierin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Megjithatë, Vozinha ka insistuar se suksesi nuk është meritë individuale.
“Futbolli nuk është vetëm për një lojtar. Kjo është historia e gjithë ekipit dhe e popullit tonë. Mund të jemi të vegjël, por kemi zemër të madhe dhe jemi luftëtarë”, është shprehur ai.
Pavarësisht paraqitjeve të tij në Botëror, Vozinha aktualisht është pa klub, pasi kontrata me skuadrën portugeze Chaves përfundoi në fund të sezonit të kaluar.























