Anglia fiton ndaj Panamasë dhe e mbyll Grupin L në vendin e parë
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 1:00) - Anglia e ka mbyllur me fitore fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026, duke triumfuar 2:0 ndaj Panamasë dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin L.
Panamaja e ka nisur ndeshjen me një rast të mirë që në sekondat e para, por portieri Jordan Pickford ka reaguar në kohë për të ndalur goditjen e Jose Luis Rodriguez.
Më pas, Anglia e ka marrë kontrollin e lojës dhe ka krijuar disa raste të mira me Marcus Rashford dhe Bukayo Saka, por portieri Orlando Mosquera ka qenë në lartësinë e detyrës. Edhe Rashford ka qenë pranë golit para pushimit, por nuk ka arritur t'i konkretizojë rastet.
Në pjesën e dytë, anglezët e kanë gjetur më në fund golin në minutën e gjashtëdhjetë e dytë. Pas një goditje nga këndi të Bukayo Sakas, Jude Bellingham ka realizuar me volej për 1:0, duke shënuar golin e tij të dytë në këtë Botëror.
Vetëm pak minuta më vonë, Harry Kane e ka vulosur fitoren me një goditje të saktë me kokë pas asistimit të Morgan Rogers. Me këtë gol, Kane është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë në fazat finale të Kupës së Botës.
Panamaja tentoi të rikthehet në lojë, madje duke shënuar në kohën shtesë përmes Jose Fajardo, por goli është anuluar për pozitë jashtë loje.
Me këtë fitore, Anglia e mbylli Grupin L në vendin e parë dhe avancon me besim në fazën e 1/32 së finales, ndërsa Panamaja largohet nga turneu pa asnjë pikë dhe pa arritur të shënojë asnjë gol.
Anglia dhe Panamaja pa gola në pjesën e parë
Anglia dhe Panamaja e kanë mbyllur pa gola pjesën e parë të përballjes së tyre në kuadër të Grupit L të Kupës së Botës 2026.
Dyzet e pesë minutat e para nuk kanë sjellë raste të pastra për gol. Loja është zhvilluar kryesisht në mesfushë, me Anglinë që pati më shumë posedim të topit, por pa gjetur rrugën drejt portës së Panamasë.
Anglia hyn në këtë takim me një avantazh të rëndësishëm, pasi tashmë është kualifikuar në fazën tjetër të garës.
Në Grupin L bëjnë pjesë edhe Kroacia dhe Gana, të cilat po zhvillojnë paralelisht përballjen e tyre.























