Scholes i bën thirrje Tuchelit: Lëre Rice në stol ndaj Kongos
BKT
Botërori 2026

Scholes i bën thirrje Tuchelit: Lëre Rice në stol ndaj Kongos

F.B/RTKLive

Ish-mesfushori i Anglisë, Paul Scholes, beson se përzgjedhësi Thomas Tuchel duhet të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në mesfushë për ndeshjen ndaj Kongos në fazën e 1/16 e finales të Kupës së Botës 2026.

Sipas Scholes, Declan Rice duhet të mbetet në stol, ndërsa Elliot Anderson meriton një vend në formacionin titullar.

Duke folur në podcastin "The Good, The Bad & The Football", legjenda e Manchester United argumentoi se Anglia nuk ka nevojë të luajë me dy mesfushorë defensivë ndaj një kundërshtari si Kongo.

"Pa asnjë mungesë respekti për Kongon, në ndeshje të tilla duhet të aktivizosh sa më shumë lojtarë ofensivë. Mendoj se zgjedhja duhet të jetë mes Declan Rice dhe Elliot Anderson, ndërsa unë do të zgjidhja Andersonin”, tha Scholes.

Ai vlerësoi se Anderson është më i prirur të luajë vertikalisht dhe të krijojë më shumë raste për sulmuesit.

"Ai e çon topin përpara më shpesh. Rice është një lojtar i madh dhe një lider i shkëlqyer, por edhe tek Arsenali nuk arriti gjithmonë ta fuste Odegaardin në lojë. Mendoj se e njëjta gjë është reflektuar edhe te Anglia. Me Andersonin, kjo nuk do të ndodhte”, theksoi ai.

Rice mungoi në fitoren 2:0 ndaj Panamasë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, pasi pësoi një goditje në pulpë gjatë barazimit pa gola me Ganën. Mesfushori i Arsenalit është rikuperuar dhe pritet të jetë në dispozicion të Thomas Tuchel për sfidën ndaj Kongos.

Anglia e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë dhe tani synon të sigurojë një vend në mesin e 16 kombëtareve më të mira të Botërorit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse Tuchel do të marrë parasysh sugjerimin e Scholes për ndryshime në mesfushë.


MË SHUME NGA Botërori 2026