Shearer kritikon Anglinë: Tuchel ende po kërkon zgjidhjet e duhura
BKT
Botërori 2026

Shearer kritikon Anglinë: Tuchel ende po kërkon zgjidhjet e duhura

F.B/RTKLive

Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, beson se përzgjedhësi Thomas Tuchel ende nuk e ka gjetur formulën ideale të lojës për Anglinë, pavarësisht kualifikimit të "Tre Luanëve" në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026.

Anglia e mbylli Grupin L në vendin e parë pas fitores 2:0 ndaj Panamasë dhe tani do të përballet me Republikën Demokratike të Kongos në fazën e 1/16 e finales. Megjithatë, paraqitjet e skuadrës kanë lënë vend për kritika nga analistët dhe tifozët.

Në një prononcim për “BBC”, Shearer tha se Tuchel ende është në kërkim të zgjidhjeve taktike dhe ka shumë çështje për të adresuar para ndeshjes së radhës.

"Më duket se Thomas Tuchel ende po kërkon disa zgjidhje, edhe pas tre ndeshjeve të para. Nuk është e domosdoshme t'i kesh të gjitha përgjigjet në këtë fazë të turneut, sepse lëndimet dhe pezullimet të detyrojnë të përshtatesh. Megjithatë, ai ka ende shumë gjëra për të zgjidhur para ndeshjes me Kongon", u shpreh Shearer.

Sipas ish-sulmuesit anglez, ndryshimet e shumta në formacion tregojnë se trajneri gjerman ende nuk e ka gjetur ekuilibrin e duhur.

"Arsyeja pse Tuchel ka provuar kaq shumë alternativa është se ende nuk e ka gjetur zgjidhjen. Lëndimet e Reece James dhe Jarell Quansah në krahun e djathtë, si dhe fakti që Bukayo Saka nuk është 100 për qind i gatshëm, nuk e kanë ndihmuar”, theksoi Shearer.

Ai shtoi se Anglia nuk ka qenë mjaftueshëm e rrezikshme në krahë dhe ndryshimet e vazhdueshme në mbrojtje kanë ndikuar negativisht në stabilitetin e ekipit.

"Nuk kemi krijuar rrezik të vazhdueshëm nga krahët, ndërsa ndryshimet e shpeshta në vijën e mbrojtjes kanë ndikuar në sigurinë tonë. Sa herë që kundërshtarët na kanë sulmuar, jemi dukur të pasigurt dhe kjo është shqetësuese”, pohoi ai.

Nëse Anglia kalon Republikën Demokratike të Kongos, në fazën tjetër do të përballet me fituesin e duelit mes Meksikës dhe Ekuadorit.


MË SHUME NGA Botërori 2026