Brazili përmbys Japoninë dhe siguron kualifikimin në 1/8 e finales
BKT
Botërori 2026

Brazili përmbys Japoninë dhe siguron kualifikimin në 1/8 e finales

Uran Krasniqi/RTKLive

(E plotësuar, 21:00) - Brazili ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2026, pasi e ka mposhtur Japoninë me rezultat 2:1, duke përmbysur disavantazhin nga pjesa e parë në ndeshjen e zhvilluar në Houston.

Japonia e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi 1:0 falë golit të Kaishu Sano në minutën e njëzet e nëntë, duke befasuar brazilianët.

Në pjesën e dytë, Brazili e ka rritur ndjeshëm ritmin e lojës. Portieri japonez Zion Suzuki ka bërë disa pritje vendimtare, fillimisht ndaj Bruno Guimaraes dhe më pas në tentimet e Casemiros e Vinicius Juniorit.

Barazimi ka ardhur në minutën e pesëdhjetë e gjashtë, kur Casemiro ka realizuar me kokë pas një krosimi të Gabrielit, duke rikthyer Brazilin në lojë.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, "Seleçao" e ka gjetur edhe golin e fitores. Bruno Guimaraes ka treguar qetësi në zonë duke pasuar në momentin e duhur për Gabriel Martinellin. Sulmuesi brazilian nuk ka gabuar, duke e dërguar topin në rrjetë me një goditje të saktë që është ndihmuar edhe nga shtylla e djathtë, për rezultatin 2:1. 

Ndeshja është transmetuar drejtpërdrejt në RTK.

Japonia befason Brazilin, në epërsi pas pjesës së parë në Houston

Japonia ka mbyllur pjesën e parë me epërsi 1:0 ndaj Brazilit në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026, e cila po zhvillohet në Houston.

Golin e vetëm deri më tani e ka shënuar Kaishu Sano në minutën e njëzet e nëntë. Mesfushori japonez ka depërtuar mes mbrojtësve brazilianë dhe nga skaji i zonës e ka lëshuar një goditje të fortë e të saktë në këndin e poshtëm të majtë të portës. Portieri Alisson ka mbeti në vend dhe pa mundësi për ta ndalur topin.

Brazili nuk ka arritur të gjejë përgjigje në dyzet e pesë minutat e para dhe do të kërkojë përmbysjen në pjesën e dytë për të shmangur eliminimin nga Botërori.

Ndeshja transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Nis ndeshja Brazil – Japoni

Ka nisur ndeshja ndërmjet Brazilit dhe Japonisë, e vlefshme për fazën e 1/16 së finales në Kampionatin Botëror 2026.

Përballja transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Faza nokaut e Botërorit 2026 ka nisur të dielën, me ndeshjen e parë të kësaj pjese të garës, ku Kanadaja shënoi fitore 1:0 ndaj Afrikës së Jugut dhe siguroi kualifikimin në raundin e ardhshëm.

Sonte më vonë zhvillohet edhe ndeshja tjetër e kësaj faze mes Gjermanisë dhe Paraguajit. 


MË SHUME NGA Botërori 2026