Van Dijk pas eliminimit: Shumë e vështirë për t’u analizuar
F.B/RTKLive
Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, ka komentuar eliminimin dramatik të skuadrës së tij nga Kupa e Botës 2026, duke theksuar se humbja ndaj Marokut është “shumë e vështirë për t’u analizuar”, por njëkohësisht duke vlerësuar performancën e ekipit.
Holanda u mposht pas penalltive në Monterrey, pasi nuk arriti të shënojë në tre goditje nga pika e bardhë, duke i hapur rrugën Marokut drejt 1/8 së finales, ku do të përballet me Kanadanë në Houston.
Pavarësisht eliminimit, Van Dijk tha se skuadra zbatoi mirë planin e trajnerit Ronald Koeman për pjesën më të madhe të ndeshjes.
“Është shumë e vështirë për ta analizuar menjëherë. Ishte një ndeshje intensive. Mendoj se ishim të fortë në mbrojtje dhe ata nuk gjenin hapësira mes linjave, kështu që plani i lojës funksionoi,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Holanda arriti të kontrollojë momente të rëndësishme të ndeshjes, por në fund u ndëshkua në kohën shtesë dhe më pas në penallti.
“Mendoj se shënuam një gol të mirë. Në fund, në minutat shtesë u tërhoqëm dhe pastaj ndeshja shkoi te penalltitë, ku fatkeqësisht u eliminuam,” tha Van Dijk.
Kapiteni holandez theksoi gjithashtu se shumë skuadra të mëdha në turne kanë adoptuar një qasje më të kujdesshme taktike, duke pritur momentin e duhur për të goditur kundërshtarin.
Eliminimi ka shtuar spekulimet për të ardhmen e trajnerit Ronald Koeman, i cili po përballet me presion pas këtij dështimi të hershëm në turne.
Ndërkohë, Maroku vijon formën mbresëlënëse, duke mos pësuar humbje në kohën e rregullt që nga janari i vitit 2024 dhe shihet si një nga favoritët për të shkuar në çerekfinale.























