Franca fiton bindshëm kundër Suedisë dhe kualifikohet në fazën tjetër
BKT
Botërori 2026

Franca fiton bindshëm kundër Suedisë dhe kualifikohet në fazën tjetër

Uran Krasniqi/RTKLive

(E plotësuar, 24: 55 ) - Franca është kualifikuar në fazën e gjashtëmbëdhjetë skuadrave më të mira të Kupës së Botës 2026, pasi e ka mposhtur bindshëm Suedinë me rezultat 3:0 në ndeshjen e fazës ku ishin tridhjetë e dy skuadrat më të mira.  

Kombëtarja franceze e ka dominuar takimin nga fillimi deri në fund dhe e ka vulosur kualifikimin falë dy golave të Kylian Mbappe dhe një realizimi të Bradley Barcola.

"Gjelat" e kanë mbyllur pjesën e parë në epërsi 1:0.

Pas disa rasteve të mira, një goli të anuluar të Mbappe për pozitë jashtë loje dhe dy goditjeve në shtyllë nga Mbappe e Michael Olise, sulmuesi francez ka realizuar në minutën e dyzet e pestë pas një goditje nga këndi.

Franca ka vazhduar me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë. Në minutën e pesëdhjetë e tretë, Michael Olise ka asistuar për Bradley Barcola, i cili e ka dërguar topin në këndin e sipërm të portës për rezultatin 2:0.

Olise ka qenë pranë golit edhe në minutat gjashtëdhjetë e një dhe shtatëdhjetë e një, por në të dy rastet është ndalur nga portieri suedez Jacob Widell Zetterström, i cili ka shmangur një humbje edhe më të thellë për kombëtaren e tij.

Rezultati përfundimtar është vulosur në minutën e shtatëdhjetë e katërt, kur Michael Olise ka dhënë edhe asistimin e dytë të ndeshjes, ndërsa Kylian Mbappe ka realizuar golin e dytë personal për 3:0.

Me këtë fitore të pastër, Franca siguroi kalimin në fazën tjetër të Kupës së Botës, ku tash do të ndeshet me Paraguajin, ndërsa Suedia është eliminuar nga gara. Franca në epërsi ndaj Suedisë

Franca e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi 1:0 ndaj Suedisë në ndeshjen e fazës së tridhjetë e dy skuadrave më të mira të Kupës së Botës 2026.

"Gjelat" kanë qenë skuadra më dominuese gjatë dyzet e pesë minutave të parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi, ndërsa portieri suedez Jacob Widell Zetterström ka qenë ndër më meritorët që rezultati ka mbetur minimal.

Franca ka menduar se ka kaluar në epërsi në minutën e njëzet, kur Kylian Mbappe e ka dërguar topin në rrjetë, por goli është anuluar për pozitë jashtë loje pas rishikimit nga sistemi VAR.

Skuadra franceze ka vazhduar presionin dhe në minutën e tridhjetë Adrien Rabiot është ndalur nga një pritje e Zetterströmit. Dy minuta më vonë, Mbappe e ka goditur shtyllën pas një rasti ideal, ndërsa në minutën e tridhjetë e gjashtë edhe Michael Olise është ndalur nga shtylla me një goditje volej.

Kur është dukur se pjesa e parë do të mbyllet pa gola, Franca e ka gjetur shpërblimin e presionit të saj në minutën e dyzet e pestë. Pas një goditje nga këndi, topi ka përfunduar te Kylian Mbappe, i cili me një goditje të fortë e ka dërguar në rrjetë për rezultatin 1:0.

Suedia e ka pasur rastin më të mirë në kohën shtesë të pjesës së parë, kur Anthony Elanga ka harkuar në zonë, por Elliot Stroud nuk ka arritur ta devijojë topin në portën e zbrazët.

Nis ndeshja Francë – Suedi

Ka nisur ndeshja mes Francës dhe Suedisë në kuadër të fazës me tridhjetë e dy skuadrat më të mira të Kupës së Botës 2026.

Dy kombëtaret do të luftojnë për një vend në 1/16 të finales.

Ndeshja po transmetohet drejtpërdrejt në RTK. 

Franca hyn në këtë ndeshje si një nga favoritët për ta fituar Botërorin, ndërsa Suedia synon të befasojë dhe të vazhdojë rrugëtimin në garën më të madhe të futbollit.

Fituesi i kësaj sfide do t'u bashkohet kombëtareve që tashmë kanë siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme të Kupës së Botës 2026.


MË SHUME NGA Botërori 2026