Meksika mposht Ekuadorin 2:0 dhe siguron 1/8 e finales
N.M. /RTKlive
Meksika ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Ekuadorin me rezultat të pastër 2:0 në ndeshjen e zhvilluar sot në mëngjes.
Skuadra meksikane e nisi fuqishëm takimin dhe arriti të krijojë epërsinë që në pjesën e parë. Julián Quiñones zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të, ndërsa në minutën e 31-të Raúl Jiménez dyfishoi shifrat, duke i dhënë qetësi Meksikës para pushimit.
Në pjesën e dytë, Ekuadori u përpoq të reagojë dhe pati disa momente presioni, por mbrojtja e organizuar e Meksikës nuk lejoi befasi. Ndeshja u mbyll pa ndryshim rezultati, ndërsa në minutat shtesë Ekuadori mbeti edhe me një lojtar më pak pas kartonit të kuq për Piero Hincapié.
Me këtë fitore, Meksika kalon në raundin tjetër dhe konfirmon formën e mirë në këtë turne, duke synuar të shkojë sa më larg në Kupën e Botës 2026.























