Bajrami: Raporti i BQK-së dëshmon rritje të çmimeve
BKT
Ekonomi

Bajrami: Raporti i BQK-së dëshmon rritje të çmimeve

Shkelzen Çoçaj/RTKlive

Deputetja e rizgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka komentuar Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2025, duke vlerësuar se të dhënat e publikuara konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej kohësh për zhvillimet ekonomike në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Bajrami tha se raporti tregon se ekonomia po rritet me ritëm të ngadalshëm, ndërsa inflacioni dhe varësia nga importi po vazhdojnë të rriten.

“E thotë qartë edhe Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025, atë që po e themi ne, atë që qytetarët dhe bizneset po e ndiejnë çdo ditë: çmimet po rriten shumë, ekonomia po rritet pak, ndërsa varësia nga importi po thellohet nga viti në vit. Sipas BQK-së, në vitin 2025 ekonomia e Kosovës është rritur vetëm 3.6%, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9%, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, edhe projeksionet për vitin 2026 paraqesin një situatë shqetësuese, pasi pritet rritje më e ulët ekonomike dhe inflacion dukshëm më i lartë.

“Por edhe më shqetësues është parashikimi për vitin 2026, ku sipas BQK-së rritja ekonomike pritet të jetë 3.5%, pra edhe më e ulët se në vitin 2025, ndërsa inflacioni pritet të shkojë në 6.7%. Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, çmimet shumë më shpejt. Shto kësaj faktin se Kosova po importon shumë e po eksporton shumë pak”, u shpreh ajo.

Bajrami u ndal edhe te tregtia e jashtme, duke theksuar se shifrat e vitit 2025 tregojnë një hendek të madh mes importeve dhe eksporteve.

“Në vitin 2025, importi i mallrave ka arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm rreth 869 milionë euro. Pra, kemi importuar rreth tetë herë më shumë sesa kemi eksportuar. Deficiti tregtar ka shkuar në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5% krahasuar me vitin paraprak, më i larti në historinë e pasluftës, ndërsa eksporti ka pësuar rënie të lehtë prej 0.2%, e importi është rritur për 10.6%”, tha Bajrami.

Deputetja e LDK-së vlerësoi se këto të dhëna pasqyrojnë një ekonomi të mbështetur kryesisht në konsum, importe dhe remitenca.

“Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie që po mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat – ekonomi që vuan nga inflacion i lartë, rritje ekonomike e pamjaftueshme, deficit tregtar në rritje, import rekord dhe eksport në rënie. Sipas BQK-së, çmimi i energjisë elektrike është rritur për 11.5%, e kur rritet energjia, rritet kostoja për bizneset, rritet çmimi i produkteve dhe në fund krejt këto i paguan qytetari. Kjo është kosto shumë më e lartë se 100 eurot që shpërndan Qeveria në kohë të zgjedhjeve”, deklaroi ajo.

Në fund, Bajrami bëri thirrje për ndryshim të qasjes në politikat ekonomike, duke kërkuar mbështetje më të madhe për prodhimin vendor, eksportin dhe uljen e kostos së energjisë për bizneset.

“Kosovës i duhet politikë ekonomike që e kthen vëmendjen te prodhimi vendor, te eksporti, te ulja e kostos së energjisë për bizneset dhe te krijimi i vendeve të punës, sepse një ekonomi që importon 7 miliardë euro dhe eksporton më pak se 1 miliard euro, nuk është ekonomi e qëndrueshme – është ekonomi e varur”, shtoi Bajrami.


MË SHUME NGA Ekonomi