Franca kalon tutje, paraqitja e Paraguait cilësohet “e turpshme”
BKT
Botërori 2026

Franca kalon tutje, paraqitja e Paraguait cilësohet “e turpshme”

Sh.Çoçaj/RTKlive

Franca ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Paraguain me rezultat 1:0 në një ndeshje të tensionuar, e cila u shoqërua me kritika të shumta për lojën e ashpër të ekipit paraguajan.

Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, e cilësoi paraqitjen e Paraguait si të papranueshme.

“Lojtarët e Paraguait ishin turp i vërtetë. Nëse do të ishin në ekipin tim, do t’i nxirrja jashtë fushës”, deklaroi Hart për BBC.

Edhe ish-mbrojtësi anglez, Micah Richards, kritikoi mënyrën e lojës së Paraguait.

“Ishte paraqitje e turpshme për t’u parë. Paraguai është më i mirë se kaq. Në mbrojtje lojtarët e Paraguait ishin shumë të mirë dhe nuk kishin nevojë për këto gjëra”, tha ai.

Goli vendimtar erdhi nga pika e bardhë, pasi arbitri Ilgiz Tantashev, pas rishikimit në VAR, akordoi penallti për një ndërhyrje ndaj Désiré Doué. Penalltinë e realizoi Kylian Mbappe, duke shënuar golin e tij të shtatë në këtë Botëror.

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, tha se skuadra e tij ishte përgatitur për një përballje të vështirë.

“U kërkova dy djemve më të mëdhenj të shkonin dhe të qëndronin rreth Kylianit në fund, sepse do ta rrëzonin. Nuk ishte e lehtë. Ata përdorën çdo gjë”, u shpreh Deschamps.

Pas ndeshjes, edhe Mbappe komentoi stilin e lojës së kundërshtarit.

“Ne dimë si të luajmë futboll të shëmtuar. Edhe në mënyrën e tyre të lojës, ne ishim më të mirë se ata. Paraguajasit u përpoqën të na mposhtnin në atë mënyrë, por ne fituam”, deklaroi sulmuesi francez.

Ish-reprezentuesi i Gjermanisë, Thomas Hitzlsperger, ishte po ashtu kritik.

“Nëse je francez apo tifoz neutral, nuk mund të kesh respekt për ta. Kjo nuk është vetëm e turpshme, është edhe më keq”, tha ai.

Me këtë fitore, Franca avancon në çerekfinale, ku do të përballet me Marokun.


MË SHUME NGA Botërori 2026