Lajm i mirë për Anglinë, James afër rikthimit para duelit me Norvegjinë
F.B/RTKLive
Anglia mund të marrë një përforcim të rëndësishëm para ndeshjes çerekfinale të Kupës së Botës 2026 ndaj Norvegjisë, pasi Reece James është pranë rikthimit në skuadër.
“Tre Luanët” siguruan një vend në tetë më të mirat e Botërorit pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës, por ndeshja solli edhe probleme për trajnerin Thomas Tuchel.
Mbrojtësi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq dhe pritet të mungojë në përballjen ndaj Norvegjisë për shkak të suspendimit.
Megjithatë, situata mund të lehtësohet nga rikthimi i mundshëm i James, i cili po fiton garën me kohën për të qenë i gatshëm për sfidën e 11 korrikut në Miami.
Mbrojtësi i Chelseat luajti 90 minuta në dy ndeshjet e para të Anglisë në këtë turne, ndaj Kroacisë (4-2) dhe Ganës (0-0), por që atëherë ka munguar për shkak të një problemi muskulor në kofshë.
Pas disa problemeve me dëmtimet gjatë dy sezoneve të fundit, ekzistonte frika se Botërori mund të përfundonte para kohe për Jamesin. Por rikthimi i tij në stërvitje të plotë mund t’i japë Tuchelit një alternativë të rëndësishme në formacionin bazë.
Nëse James arrin të zhvillojë të paktën një seancë të plotë stërvitore me Anglinë në bazën e ekipit në Kansas, ai mund të rikthehet menjëherë në formacionin titullar.
Përveç Jamesit, pritet që Declan Rice të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Norvegjisë, pasi mesfushori po rikuperohet nga një problem muskulor dhe pritet të ruajë vendin e tij në mesfushë.























