De la Fuente: Mikel Merino nuk zhgënjen kurrë
BKT
Botërori 2026

De la Fuente: Mikel Merino nuk zhgënjen kurrë

F.B/RTKLive

Mesfushori i Arsenalit ishte heroi i Spanjës në fitoren 1-0 ndaj Portugalisë në fazën e 1/8 së finales, pasi realizoi golin e fitores në minutat e fundit të takimit.

Spanja tashmë do të përballet me Belgjikën në çerekfinale, duke u rikthyer në mesin e tetë skuadrave më të mira të Botërorit për herë të parë që nga viti 2010, kur triumfoi në Afrikën e Jugut.

Merino, i cili nuk ka qenë titullar i rregullt gjatë këtij turneu, ka luajtur një rol të rëndësishëm për kombëtaren spanjolle. Ai u aktivizua në minutën e 85-të ndaj Portugalisë dhe vetëm pak minuta më vonë realizoi golin që eliminoi skuadrën e Cristiano Ronaldos.

De la Fuente e cilësoi Merinon një lojtar vendimtar për Spanjën.

“Mikel Merino nuk zhgënjen kurrë, ai është një siguri për Spanjën. Ai na ndihmoi të fitojmë Kampionatin Evropian dhe është gjithmonë aty kur gjërat vendosen”, tha ai.

Trajneri spanjoll shtoi se Merino është ndër lojtarët më të mirë në botë në pozitën e tij dhe vlerësoi thellësinë e skuadrës.

“Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë në pozicionin e tij. Ne kemi lojtarë në stol që do të ishin titullarë në çdo kombëtare tjetër”, theksoi De la Fuente.

Ai theksoi se zgjedhjet e tij bëhen gjithmonë në të mirë të ekipit, ndërsa vlerësoi ndikimin e madh që Merino ka kur futet në lojë.

“Marr vendimet e mia gjithmonë duke menduar për atë që është më e mira për ekipin. Mikel paraqitet jashtëzakonisht mirë, është gjithmonë aty ku duhet të jetë dhe kjo është një vlerë e madhe për ne”, pohoi ai.

Pavarësisht paraqitjes së tij vendimtare, trajneri i Spanjës nuk konfirmoi nëse Merino do të jetë titullar ndaj Belgjikës, pasi në këtë Botëror treshja e preferuar e mesfushës ka qenë Rodri, Pedri dhe Dani Olmo.


MË SHUME NGA Botërori 2026