Argjentina përmbys Egjiptin me shumë vështirësi dhe kualifikohet
BKT
Botërori 2026

Argjentina përmbys Egjiptin me shumë vështirësi dhe kualifikohet

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar,20 - 04) - Argjentina është kualifikuar me shumë mund në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi e ka mposhtur Egjiptin me rezultat 3:2 në një ndeshje dramatike të 1/8 së finales.

Egjiptianët kanë befasuar favoritët që në minutën e pesëmbëdhjetë, kur Yasser Ibrahim ka realizuar me kokë pas një asistimi të Marwan Attias, duke i dhënë epërsinë 1:0 skuadrës së tij.

Argjentina ka pasur mundësinë ideale për ta barazuar rezultatin katër minuta më vonë, pasi gjyqtari Francois Letexier ka akorduar penallti për një ndërhyrje të Haissem Hassan. Megjithatë, Lionel Messi nuk ka arritur ta shndërrojë në gol, pasi portieri Mostafa Shobeir e ka pritur goditjen e tij.

Shobeir ka qenë në formë të jashtëzakonshme gjatë pjesës së parë. Ai ka ndalur edhe një goditje me kokë të Alexis Mac Allister, më pas Messi e ka goditur shtyllën nga distanca, ndërsa portieri egjiptian ka pritur edhe një rast të pastër të Julian Alvarez. Kështu, pjesa e parë është mbyllur me epërsinë 1:0 të Egjiptit.

Në fillim të pjesës së dytë, Egjipti ka menduar se e ka dyfishuar epërsinë në minutën e pesëdhjetë e tetë me Mostafa Zikon, pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Mohamed Salah. Megjithatë, pas rishikimit të aksionit në VAR, gjyqtari e ka anuluar golin për shkak të një faulli në ndërtimin e aksionit.

Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë, Ziko nuk ka gabuar. Pas një tjetër kundërsulmi të shpejtë dhe një asistimi nga Haissem Hassan, ai ka realizuar për rezultatin 2:0, duke e afruar Egjiptin me një nga befasitë më të mëdha të këtij Botërori.

Por Argjentina nuk është dorëzuar.

Në minutën e shtatëdhjetë e nëntë, Lionel Messi ka harkuar saktë në zonë, ndërsa Cristian Romero ka shënuar me kokë për ta ngushtuar rezultatin në 2:1.

Katër minuta më vonë, Messi e ka marrë përsipër përgjegjësinë dhe këtë herë nuk ka gabuar. Kapiteni argjentinas ka realizuar një gol spektakolar me volej, duke e dërguar topin në rrjetë pasi ai është përplasur fillimisht në traversë. Goli ka ardhur pas asistimit të Gonzalo Montieli, ndërsa rezultati është barazuar në 2:2.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Argjentina ka goditur në momentin vendimtar. Në minutën e dytë shtesë, Lautaro Martinez e ka dërguar një krosim të saktë në zonë, ndërsa Enzo Fernandez është gjendur në vendin e duhur dhe ka shënuar nga afërsia për rezultatin përfundimtar 3:2.

Me këtë fitore dramatike, Argjentina siguron një vend në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, ndërsa Egjipti largohet nga turneu.

Egjipti në epërsi ndaj Argjentinës, Messi humbet penallti

Kombëtarja e Argjentinës është në disavantazh 1:0 pas përfundimit të pjesës së parë në përballjen ndaj Egjiptit, e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Botës 2026.

Egjiptianët kanë kaluar në epërsi në minutën e pesëmbëdhjetë, kur Yasser Ibrahim ka shënuar me kokë nga afërsia pas një krosimi të saktë të Marwan Attia, duke mposhtur portierin argjentinas për rezultatin 1:0.

Argjentina ka pasur një mundësi të artë për ta barazuar vetëm pak minuta më vonë. Në minutën e nëntëmbëdhjetë, gjyqtari Francois Letexier ka akorduar penallti, pasi Haissem Hassan ka ndërhyrë në mënyrë të palejuar ndaj një lojtari kundërshtar.

Përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë e ka marrë Lionel Messi, por superylli argjentinas nuk ka arritur të shënojë. Goditja e tij në këndin e poshtëm të djathtë është pritur nga portieri Mostafa Shobeir, i cili ka qenë një nga protagonistët kryesorë të pjesës së parë.

Shobeir ka vazhdiuar me paraqitje të shkëlqyer edhe më pas, duke ndalur fillimisht një goditje me kokë të Alexis Mac Allister në minutën e njëzet e tetë, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Messi ka qenë shumë pranë golit, por goditja e tij nga distanca është ndalur nga shtylla e majtë.

Edhe Julian Alvarez ka pasur një rast shumë të mirë në minutën e tridhjetë e nëntë, por portieri egjiptian ka reaguar sërish, duke ruajtur epërsinë e skuadrës së tij.

Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur. Argjentina ka edhe dyzet e pesë minuta në dispozicion për të përmbysur rezultatinNis ndeshja mes Argjentinës dhe Egjiptit

Ka nisur ndeshja ndërmjet Argjentinës dhe Egjiptit, e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Botës 2026.

Dy kombëtaret po përballen në Atlanta, ku fituesi i kësaj sfide do të sigurojë kualifikimin në çerekfinale të turneut.

Argjentina, kampione në fuqi e botës, hyn në këtë takim si favorite, pasi në fazën e kaluar eliminoi Kepin e Gjelbër me rezultat 3:2 pas vazhdimeve. Në anën tjetër, Egjipti po synon të vazhdojë surprizën e madhe të këtij Botërori, pasi siguroi kalimin në këtë fazë duke mposhtur Australinë pas ekzekutimit të penalltive.

Fituesi i kësaj përballjeje do të ndeshet në çerekfinale me skuadrën që do të triumfojë në sfidën mes Zvicrës dhe Kolumbisë.


MË SHUME NGA Botërori 2026