Sot në RTK, Spanjë-Belgjikë
B.H./RTKlive
Spanja dhe Belgjika do të përballen sot në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që nis në orën 21:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Spanja hyn në këtë sfidë me një seri mbresëlënëse, pasi në pesë ndeshjet e deritanishme nuk ka pësuar asnjë gol, ndërsa ka realizuar nëntë. Portieri Unai Simón ka regjistruar pesë ndeshje pa pësuar gol, duke vendosur një rekord prej 609 minutash pa u mposhtur.
Skuadra spanjolle siguroi kualifikimin në çerekfinale falë golit të Mikel Merinos në kohën shtesë ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ës, duke arritur për herë të parë në këtë fazë që nga triumfi i vitit 2010.
Në anën tjetër, Belgjika synon të vazhdojë rrugëtimin me gjeneratën e saj të artë. Kevin De Bruyne, Thibaut Courtois dhe Romelu Lukaku pritet të udhëheqin “Djajtë e Kuq”, në atë që mund të jetë paraqitja e tyre e fundit në një turne madhor. Të tre ishin protagonistë edhe në suksesin e Belgjikës në Kupën e Botës 2018, kur përfundoi në vendin e tretë.
Belgjika ka treguar një forcë të jashtëzakonshme sulmuese, duke përmbysur Senegalin 3:2 në 1/16 e finales dhe duke mposhtur pastaj SHBA-në në 1/8 e finales me rezultat bindës 4-1. Megjithatë, belgët do të jenë pa mesfushorin Amadou Onana, i cili ka mbyllur para kohe turneun për shkak të një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar në gju.























