Argjentina kërkon ndryshim të pazakontë të fanellave para duelit me Anglinë
F.B/RTKLive
Dy ditë para përballjes së madhe mes Argjentinës dhe Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, ka nisur një situatë e pazakontë jashtë fushës.
Sipas gazetarit argjentinas Gaston Edul, kombëtarja e Argjentinës ka kërkuar leje për të veshur fanellën rezervë, atë me ngjyrë blu, në vend të fanellës tradicionale me vija bardhekaltra.
Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta, në një terren neutral, por Anglia është skuadra e caktuar si vendase dhe do të paraqitet me fanellën e bardhë.
Në kushte normale nuk do të kishte përplasje ngjyrash, pasi Argjentina mund të përdorte fanellën e saj ikonike bardhekalter. Megjithatë, kampionët në fuqi kanë kërkuar një ndryshim për këtë ndeshje të rëndësishme.
Argjentina ka përdorur fanellën tradicionale në pesë nga gjashtë ndeshjet e saj në këtë Botëror, me përjashtim të sfidës së fazës së grupeve ndaj Jordanisë, ku luajti me fanellën rezervë.
Vendimi përfundimtar pritet të merret të martën, vetëm një ditë para përballjes mes dy rivalëve historikë.
Argjentina vjen në këtë takim në formë të jashtëzakonshme, pasi ka shënuar nga tre gola në katër ndeshjet e fundit dhe ka realizuar gjithsej 17 gola në turne.
Ndërkohë, Anglia shpreson të gjejë avantazhe të vogla përpara një prej sfidave më të mëdha të këtij Botërori.























