Kontrolle të rrepta ndaj mjeteve të mbingarkuara
BKT
Ekonomi

Kontrolle të rrepta ndaj mjeteve të mbingarkuara

V.Th / RTKLive

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se do të intensifikojë kontrollet ndaj mjeteve të rënda që tejkalojnë kufijtë e lejuar të peshës, duke theksuar se mbingarkesa është një nga shkaktarët kryesorë të dëmtimit të infrastrukturës rrugore.

Sipas ministrisë, çdo vit investohen qindra miliona euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, andaj këto investime duhet të mbrohen përmes respektimit të rregullave nga operatorët ekonomikë dhe drejtuesit e mjeteve të rënda.

Ministria thekson se gjatë sezonit veror, për shkak të temperaturave të larta, rreziku i dëmtimit të asfaltit rritet edhe më shumë, prandaj kërkohet kujdes i shtuar dhe zbatim i rreptë i kufizimeve të peshës.

Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ministria bën të ditur se do të zhvillojë kontrolle të vazhdueshme në terren për të parandaluar dëmtimin e rrugëve dhe për të garantuar sigurinë në komunikacion.

Vetëm më 1 korrik 2026, sipas të dhënave të ministrisë, janë shqiptuar 24 gjoba ndaj mjeteve që kanë tejkaluar peshën e lejuar, në vlerë të përgjithshme prej 13.910 eurosh. Nga kjo shumë, 13.140 euro u janë shqiptuar operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro personave fizikë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të jetë rigoroze në zbatimin e ligjit dhe se nuk do të ketë tolerancë ndaj shkelësve që, përmes mbingarkesës së mjeteve, dëmtojnë infrastrukturën rrugore dhe rrezikojnë sigurinë në trafik.


MË SHUME NGA Ekonomi