De la Fuente: Dita më e madhe e lamine yamal në Botëror ende nuk ka ardhur
BKT
Botërori 2026

De la Fuente: Dita më e madhe e lamine yamal në Botëror ende nuk ka ardhur

Uran Krasniqi / RTKLive

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, beson se momenti më i madh i Lamine Yamal në Kampionatin Botëror ende nuk ka ardhur dhe shpreson që ai të vijë në gjysmëfinalen kundër Francës.

Yamali ka mbushur nëntëmbëdhjetë vjet një ditë para përballjes që zhvillohet në Dallas, ndërsa trajneri spanjoll ka thënë se talenti i Barcelonës duhet ta shijojë këtë moment dhe jo të ndjejë presion.

"Kam biseduar me të dhe i kam thënë të mos shqetësohet. Dua që ta shijojë këtë eksperiencë. Jam i bindur se dita e tij më e madhe në Botëror ende nuk ka ardhur. Shpresoj të jetë në gjysmëfinale ose në finale nëse arrijmë deri aty", ka deklaruar De la Fuente.

Yamali e nisi Botërorin duke u rikthyer nga një dëmtim në kofshë dhe deri tani ka shënuar një gol, pa regjistruar ende asnjë asistim.

Trajneri spanjoll ka kujtuar edhe fitoren 5:4 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve vitin e kaluar, por ka theksuar se ndeshja e radhës do të jetë krejtësisht ndryshe.

"Ne kemi mësuar shumë nga ajo ndeshje dhe besoj se edhe Franca ka bërë të njëjtën gjë. Duhet të përsërisim momentet ku ishim superiorë dhe të shmangim gabimet që bëmë atëherë", ka thënë ai.

De la Fuente e ka cilësuar Francën një skuadër shumë të rrezikshme në kundërsulme, duke veçuar cilësitë e Kylian Mbappes, Ousmane Dembeles dhe Michael Olises.

Ai ka refuzuar etiketën e favoritit.

"Nuk ka asnjë rëndësi kush konsiderohet favorit. Përballen dy skuadra të mëdha dhe kjo nuk vendos asgjë. E rëndësishme është ajo që ndodh në fushë", është shprehur trajneri spanjoll.

Ai u ka bërë thirrje futbollistëve të tij ta shijojnë këtë moment.

"U them lojtarëve se duhet ta jetojnë këtë përvojë, sepse mund të mos përsëritet më. Duhet të besojmë te vetja dhe të japim gjithçka për të arritur në finale", ka thënë De la Fuente.


MË SHUME NGA Botërori 2026