Argjentina përmbys Anglinë në një sfidë të çmendur, e pret Spanja në finale
F.Bytyqi/RTKLive
(E përditësuar, 23:03)-Argjentina është finalistja e dytë e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1 në një gjysmëfinale dramatike të zhvilluar në stadiumin "Mercedes-Benz" në Atlanta.
Kampionët në fuqi siguruan biletën për në finalen e madhe falë një përmbysjeje në minutat e fundit të takimit, duke i dhënë fund ëndrrës së Anglisë për t'u rikthyer në finalen e Botërorit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që zhvilluan një lojë të kujdesshme dhe me pak raste të pastra shënimi.
Në fraksionin e dytë, Anglia kaloi në epërsi në minutën e 55-të me Anthony Gordon, i cili finalizoi me sukses një aksion të shpejtë të "Tre Luanëve".
Megjithatë, Argjentina reagoi fuqishëm pas golit të pësuar, duke shtuar presionin ndaj portës angleze. Pas disa rasteve të mira dhe një goditjeje në shtyllë, Enzo Fernandez barazoi rezultatin në minutën e 85-të me një goditje të shkëlqyer.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Lionel Messi shfaqi edhe një herë klasin e tij. Kapiteni argjentinas asistoi për Lautaro Martínez, i cili në minutat shtesë realizoi golin e fitores, duke vulosur triumfin 2-1 të Argjentinës.
Në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, Argjentina do të përballet me Spanjën, e cila një ditë më parë eliminoi Francën me rezultat 2-0.
Finalja do të zhvillohet të dielën mbrëma dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Angli-Argjentinë, ‘heshtin’ rrjetat në pjesën e parë
(E përditësuar, 21:51)-Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e gjysmëfinales së dytë të Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Argjentinës.
Dy kombëtaret po përballen në stadiumin "Mercedes-Benz" në Atlanta, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe intensitet të madh, e cila po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
45 minutat e para u karakterizuan nga një luftë e fortë në mesfushë, me të dyja skuadrat që treguan kujdes në fazën mbrojtëse. Pavarësisht ritmit të lartë, rastet e pastra për gol ishin të pakta, ndërsa portierët mbetën kryesisht të paprovuar.
Anglia dhe Argjentina shkuan në pushim me rezultatin 0-0, duke lënë gjithçka të hapur për pjesën e dytë.
Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, ku e pret Spanja, që në gjysmëfinalen e parë eliminoi Francën me rezultat 2-0.
Nis superpërballja mes Anglisë dhe Argjentinës, LIVE në RTK
Ka startuar gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Argjentinës.
‘Tre Luanët’ dhe argjentinasit po përballen në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta, ndeshje që mund ta ndiqni në RTK.
Të dy kombëtaret do të luftojnë për një vend që dërgon në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.
Skuadra e cila do të triumfojë sonte do të ballafaqohet në finalen e madhe të këtij Botërori me Spanjën, e cila mbrëmë eliminoi Francën.























