Alarm para finales së Botërorit, ndotja e ajrit shqetëson New York-un
BKT
Botërori 2026

Alarm para finales së Botërorit, ndotja e ajrit shqetëson New York-un

F.B/RTKLive

Një situatë e pazakontë po shoqëron përgatitjet për finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila zhvillohet të dielën në “MetLife Stadium”.

Shkak për shqetësimin është bërë cilësia e ajrit në rajonin e New York-ut, ku një re tymi e krijuar nga zjarret masive në pyjet e Kanadasë ka mbuluar zonën gjatë ditëve të fundit.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura dhe, nëse është e mundur, të qëndrojnë në ambiente të mbyllura për të shmangur pasojat nga ajri i ndotur.

Guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, ka këshilluar banorët që të tregojnë kujdes, veçanërisht personat më të ndjeshëm ndaj problemeve me frymëmarrjen.

Sipas parashikimeve, cilësia e ajrit pritet të përmirësohet në ditët në vijim, ndërsa reshjet e shiut të paralajmëruara për të shtunën mund të ndihmojnë në largimin e tymit nga atmosfera.

Finalja e madhe e Botërorit do të zhvillohet në “MetLife Stadium” në East Rutherford të New Jersey-t, ku pritet të jenë të pranishëm mbi 80 mijë tifozë.

Ndërkohë, mijëra të tjerë pritet ta ndjekin sfidën nga ambientet publike, përfshirë edhe Central Park në New York.


MË SHUME NGA Botërori 2026