Anglia fiton medaljen e bronztë, spektakël me 10 gola ndaj Francës
BKT
Botërori 2026

Anglia fiton medaljen e bronztë, spektakël me 10 gola ndaj Francës

F.B/RTKLive

(E përditësuar, 01:10)-Anglia është fituese e medaljes së bronztë në Kupën e Botës 2026, pasi mposhti Francën me rezultat 6-4 në ndeshjen për vendin e tretë.

Përballja mes “Tre Luanëve” dhe “Gjelave” dhuroi një spektakël të vërtetë futbollistik, me plot 10 gola të shënuar dhe një përmbysje dramatike në pjesën e dytë.

Anglia ishte dominuese në 45 minutat e para, duke e mbyllur pjesën e parë me një epërsi të thellë 4-0. Declan Rice zhbllokoi rezultatin që në minutën e 3-të, ndërsa Ezri Konsa dyfishoi avantazhin në minutën e 18-të.

Protagonisti kryesor i pjesës së parë ishte Bukayo Saka, i cili realizoi dy gola. Sulmuesi anglez shënoi në minutën e 37-të dhe në shtesën e pjesës së parë (45+1), duke e çuar rezultatin në 4-0.

Megjithatë, Franca nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë riktheu emocionet në sfidë. Kampionët e Evropës shënuan katër gola dhe tentuan një rikthim të jashtëzakonshëm.

Kylian Mbappe udhëhoqi reagimin francez me dy gola, në minutat 48 dhe 66, ndërsa Bradley Barcola dhe Ousmane Dembélé realizuan nga një gol në minutat 54 dhe 90+6.

Por Anglia arriti të ruajë avantazhin falë Sakas, i cili kompletoi het-trikun personal në minutën e 87-të, ndërsa Jude Bellingham vulosi fitoren me golin e gjashtë në minutën e 90+8.

Me këtë sukses, Anglia siguron medaljen e bronztë të Kupës së Botës 2026, ndërsa Franca e mbyll turneun në vendin e katërt.

Ndeshja për vendin e tretë do të mbahet mend si një nga përballjet më spektakolare të këtij Botërori, me një duel të jashtëzakonshëm mes dy fuqive të futbollit botëror.

Anglia afër medaljes së bronztë, po e deklason Francën

(E përditësuar, 23:52)-Anglia është shumë pranë fitimit të medaljes së bronztë në Kupën e Botës 2026, pasi ka zhvilluar një pjesë të parë të jashtëzakonshme ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë.

“Tre Luanët” e mbyllën fraksionin e parë me një epërsi të thellë 4-0 ndaj “Gjelave”, duke dominuar plotësisht përballjen.

Declan Rice zhbllokoi rezultatin që në minutën e 3-të, ndërsa Ezri Konsa dyfishoi avantazhin e Anglisë në minutën e 18-të.

Bukayo Saka ishte protagonisti kryesor i pjesës së parë, duke shënuar dy herë. Sulmuesi anglez realizoi në minutën e 37-të dhe përsëri në minutën shtesë të pjesës së parë (45+1), duke e çuar rezultatin në 4-0.

Me këtë paraqitje, Anglia ka hedhur një hap të madh drejt sigurimit të medaljes së bronztë, ndërsa Franca ndodhet përballë një misioni shumë të vështirë për të rikthyer ndeshjen.

Nis dueli Francë-Angli, luhet për vendin e tretë

Tashmë ka nisur përballja mes Francës dhe Anglisë.

‘Gjelat’ dhe ‘Tre Luanët’ po luajnë për vendin e tretë në Kupën e Botës, event ky që tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare.

Dy kombëtaret evropiane, kanë zbritur në fushë pas eliminimeve në gjysmëfinale, me Francën që u mposht nga Spanja, ndërsa Anglia u eliminua nga Argjentina.

Kjo përballje është një mundësi e mirë për të dyja skuadrat që ta mbyllin turneun me rezultat pozitiv dhe të sigurojnë medaljen e bronztë të Botërorit, raporton RTKlive.

Franca dhe Anglia kanë qenë ndër ekipet më të vlerësuara të kompeticionit, por tashmë do të kërkojnë të reagojnë pas zhgënjimit të humbjeve në fazën gjysmëfinale.


MË SHUME NGA Botërori 2026