IKD: MPFVLÇ të zbatojë vendimet gjyqësore për pensionet
N.M. /RTKlive
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ) lidhur me pensionet e kategorive të dala nga lufta.
Sipas IKD-së, në disa raste Ministria nuk i ekzekuton vendimet gjyqësore, nuk i alokon mjetet financiare për përfituesit, apo nxjerr vendime të reja në kundërshtim me ato që kanë vendosur gjykatat.
Organizata thekson se edhe kur e drejta për pension është konfirmuar nga të gjitha instancat, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mos i marrin përfitimet e tyre. Në raste të tjera, MPFVLÇ përsërit vendime refuzuese, duke mos respektuar udhëzimet e gjykatës.
IKD vlerëson se kjo praktikë cenon sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit, ndërsa paralajmëron se moszbatimi i vendimeve gjyqësore mund të përbëjë vepër penale, e dënueshme deri në pesë vjet burgim.
Po ashtu, IKD kërkon nga MPFVLÇ që të zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet dhe të kryejë pagesat përkatëse, ndërsa i bën thirrje Prokurorit të Shtetit të hetojë rastet e moszbatimit të vendimeve gjyqësore.























