Farmacistja Berisha Kosumi: Vetëmjekimi nuk është zgjidhje
Sh.G|RTKlive
Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe internetit për të kërkuar këshilla shëndetësore ishte një nga temat e diskutuara në programin e mëngjesit në RTK. Shumë qytetarë, sapo përballen me një simptomë, kërkojnë përgjigje në ChatGPT apo burime të tjera online dhe më pas drejtohen në barnatore duke kërkuar terapi sipas rekomandimeve që kanë lexuar.
Për të folur për rreziqet e vetëmjekimit, e ftuar në studio ishte farmacistja Laureta Berisha Kosumi, e cila tha se përdorimi i barnave pa konsultim me profesionistët shëndetësorë mund të sjellë pasoja serioze.
"Vetëmjekimi është përdorimi i barnave pa një këshillë të caktuar mjekësore, pa e konsultuar profesionistin shëndetësor, ose kur nuk merret doza e caktuar e barit ose nuk merret trajtimi për kohëzgjatjen e duhur", ka thënë Kosumi.
Sipas saj, shumë pacientë i rikthehen barnave që u kanë mbetur në shtëpi, duke u bazuar vetëm në simptomat që kanë, edhe pse ato mund të jenë shenjë e një problemi krejtësisht tjetër shëndetësor.
"Shpeshherë dhimbja e kokës, ta zëmë, mund të jetë nga lodhja, mund të jetë nga stresi, mund të jetë nga dehidrimi dhe shpeshherë është edhe nga hipertensioni, dhe kjo mund të maskojë simptoma të tjera më të rënda, të cilat gjithsesi që duhet të ndiqen nga mjeku", tha ajo.
Berisha Kosumi sqaroi se ekzistojnë barna që mund të përdoren pa recetë për simptoma të lehta, por vetëm sipas rekomandimit të farmacistit dhe për një periudhë të kufizuar. Nëse simptomat vazhdojnë, konsultimi me mjekun është i domosdoshëm.
"Mirëpo, në rast se simptomat e tilla vazhdojnë dhe nuk kalojnë, nuk kalon dhimbja e kokës e merret një tabletë çdo gjashtë ose çdo tetë orë, pastaj gjithsesi që duhet të bëhet një konsultë me mjekun", tha Kosumi.























