GAP: Rritet transparenca buxhetore e komunave, 10 arrijnë pikët maksimale
M.Sh/RTKLive
Instituti GAP ka publikuar raportin "Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025", i cili tregon se niveli i transparencës buxhetore në komunat e Kosovës ka shënuar përmirësim krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas raportit, mesatarja e pikëve të indeksit për vitin 2025 ka arritur në 64.5 pikë, nga 61 pikë sa ishte në vitin 2024. Indeksi, i cili publikohet çdo vit që nga viti 2017, vlerëson transparencën e 38 komunave përmes një metodologjie të standardizuar, me synim rritjen e llogaridhënies dhe qasjes së qytetarëve në informacionet buxhetore.
Raporti tregon se 10 komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa 19 nga 38 komunat kanë grumbulluar të paktën 89.5 pikë, duke reflektuar përmirësim të ndjeshëm në pjesën më të madhe të vendit.
Në anën tjetër, Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë pikë në indeks.
Gjatë vitit 2025, komunat kanë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, përfshirë raporte financiare dhe dokumente mbështetëse të politikave buxhetore. Dokumentet më të publikuara kanë qenë raportet financiare të buxhetit, me 133 dokumente, ndërsa gjatë planifikimit të buxhetit për vitin 2026 janë evidentuar 119 dëgjime buxhetore me qytetarët.
Nga 38 komunat, 28 kanë organizuar të paktën katër dëgjime buxhetore, një komunë ka mbajtur tri, një tjetër dy, ndërsa një komunë vetëm një dëgjim.
Raporti vlerëson edhe cilësinë e publikimit të dokumenteve. Sipas GAP-it, 76 për qind e dokumenteve janë publikuar në formate të hapura dhe lehtësisht të përdorshme, si Excel dhe Word, 8 për qind në format PDF, ndërsa 16 për qind janë publikuar si dokumente të skanuara.
Dokumentet më të publikuara kanë qenë Korniza Afatmesme Buxhetore dhe Rregullorja për ndarjen e subvencioneve, të publikuara nga 30 komuna. Gjithashtu, 29 komuna kanë publikuar raportet financiare për tremujorin e parë dhe të dytë, ndërsa 28 komuna kanë bërë publik Raportin Vjetor Financiar për vitin 2025.
Sa i përket ndryshimeve krahasuar me një vit më parë, progresin më të madh e ka shënuar Obiliqi, me rritje prej 60 pikësh, i ndjekur nga Ferizaj me 52.5 pikë dhe Gjilani me 43.5 pikë më shumë.
Ndërkohë, rënien më të madhe në indeks e kanë regjistruar Vitia me 35 pikë më pak, Mitrovica e Veriut me 29 pikë dhe Lipjani me 15 pikë më pak se një vit më parë.
Sipas Institutit GAP, rezultatet tregojnë një përparim të rëndësishëm në transparencën buxhetore në nivel lokal, megjithatë mbetet e nevojshme standardizimi i formateve të publikimit dhe forcimi i mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat.























