Java e Gjidhënies, aktivitete vetëdijësuese në Kosovë
Sh.G|RTKlive
Nga 1 gushti ka nisur Java Botërore e Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, një fushatë globale që synon rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e gjidhënies dhe mbështetjen e nënave, por këtë vit edhe të gjithë familjes.
Në Kosovë, UNICEF-i në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë po zhvillon aktivitete informuese dhe mbështetëse për familjet, me fokus në fillimin sa më të shëndetshëm të jetës për çdo fëmijë.
Për të folur më shumë rreth kësaj teme dhe rëndësisë së ushqyerjes me qumësht gjiri, në RTK ishte e ftuar Jehona Luta, eksperte lokale për zhvillim në fëmijërinë e hershme në UNICEF.
Ajo ka bërë të ditur se slogani i këtij viti lidhet me fuqizimin e praktikave që tashmë po funksionojnë në sistemin shëndetësor të Kosovës.
"Slogani për sivjet është 'Ushqyerja me qumësht gjiri për fillim të shëndetshëm, të fuqizojmë atë që po funksionon', që shumë i përshtatet sistemit shëndetësor në këtë vit. Pasi që Ministria e Shëndetësisë bashkë me UNICEF-in dhe Institutin e Shëndetit Publik po përpiqen që të promovojnë edhe programet të cilat veçse po funksionojnë për të rritur përqindjen e ushqyerjes me qumësht gjiri në mbarë popullatën", ka thënë Luta.
Ajo ka treguar se aktivitetet kanë nisur në Fushë Kosovë, përmes programit të vizitave në shtëpi nga infermieret, i cili mbështetet nga UNICEF-i tash e 12 vite.
"Sivjet kemi filluar që nga 1 gushti në Fushë Kosovë, ku infermieret e vizitave në shtëpi nga programi i Ministrisë së Shëndetësisë i mbështetur nga UNICEF-i që tash e 12 vite, kanë mbajtur seanca informuese rreth ushqyerjes me qumësht gjiri", ka thënë ajo.
Sipas Lutës, aktivitetet kanë vazhduar në të gjitha komunat e Kosovës, ku Qendrat e Mjekësisë Familjare po organizojnë sesione informuese, vizita në shtëpi dhe aktivitete vetëdijësuese për qytetarët.
"Më pas kemi vazhduar nëpër të gjitha komunat e Kosovës, ku Kujdesi Parësor Shëndetësor, gjegjësisht të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, janë duke zhvilluar seanca informuese, ose vizita në shtëpi, ose po dalin edhe në shesh ku shpërndajnë broshura që po e rrisin ndërgjegjësimin e popullatës rreth ushqyerjes me qumësht gjiri", ka thënë Luta.
Ajo ka njoftuar gjithashtu se gjatë aktiviteteve të Javës Botërore të Ushqyerjes me Qumësht Gjiri, përfaqësues të institucioneve shëndetësore kanë vizituar edhe Spitalin e Pejës, ku janë takuar me nënat e sapolindura.
"Dje ishim së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht edhe ministrin Arben Vitia, Institutin e Shëndetit Publik, doktoreshën Ardita dhe zonjën Veronika që është shefja e zyrës së UNICEF-it, ishim në Spitalin e Pejës, ku u takuam me nënat që veçse kishin lindur, në mënyrë që të ndërgjegjësojmë edhe ato dhe vetëdijësojmë rreth ushqyerjes me qumësht gjiri dhe benefiteve që ka ushqyerja me qumësht gjiri", ka thënë Jehona Luta.























