Gashi: Rënia e vaksinimit po rrit rastet me fruth
Sh.G|RTKlive
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nga mesi i prillit deri në fund të gushtit janë konfirmuar 99 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.
Agron Gashi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale tha se institucionet po e përcjellin me vëmendje gjendjen epidemiologjike dhe se rritja e rasteve rikthen në fokus rëndësinë e programit të vaksinimit.
“Po, ne jemi duke përcjellë me vëmendje gjendjen epidemiologjike dhe në këtë rast gjendjen me rastet e fruthit. Në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm javën e kaluar janë raportuar 21 raste dhe kjo na ka mundësuar ta ngrisim çështjen edhe njëherë lidhur me programin e vaksinimit si njëri nga programet më të suksesshme”, tha Gashi në RTK.
Ai theksoi se programi i vaksinimit është një histori suksesi që duhet të ruhet dhe të mbështetet nga të gjitha palët.
“Është një tregim i suksesshëm i cili është arritur duke i falënderuar punës shumëvjeçare të shumë profesionistëve shëndetësorë, të institucioneve, të prindërve, të familjeve, të organizatave të ndryshme, dhe tani mbetet sfidë se si të vazhdohet. D.m.th. këto suksese nuk janë të garantuara. Është një çështje të cilën duhet ta avokojmë së bashku për ta mirëmbajtur dhe në këtë mënyrë për të mësuar vaksinimin e fëmijëve”, shtoi ai.
Sipas Gashit, rritja e numrit të rasteve tregon se mbulueshmëria me vaksinim ka rënë nën nivelin e rekomanduar.
“Rritja e numrit të rasteve të fruthit tregon se ka boshllëqe në mbulueshmëri të vaksinimit të fëmijëve. Dhe sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në vitin 2025 shkalla e përfshirjes është 82%. Dhe kjo është nën pragun e rekomanduar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila parasheh së paku 95%”, tha ai.























