Investimi në nënstacionin e ri në Malishevë po avancon sipas dinamikës
BKT
Ekonomi

Investimi në nënstacionin e ri në Malishevë po avancon sipas dinamikës

A.B/RTKLive

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, së bashku me Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve, Gëzim Tosuni, vizituan sot projektin në ndërtim të Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë, një prej investimeve më të rëndësishme kapitale të KOSTT-it për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të transmetimit.

Punimet po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar, me progres të dukshëm në fazat e parashikuara dhe në përputhje me kërkesat teknike, standardet e cilësisë dhe afatet e përcaktuara.

Me një vlerë prej 6.76 milionë eurosh, ky investim do të mundësojë lidhjen e Malishevës, për herë të parë, me rrjetin 220 kV, duke rritur kapacitetet transmetuese, besueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit.

Në përputhje me objektivat e Strategjisë së Energjisë, nënstacioni i ri do të kontribuojë njëkohësisht në forcimin e sistemit elektroenergjetik, reduktimin e humbjeve, integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe krijimin e një baze të qëndrueshme infrastrukturore për zhvillimin ekonomik të zonës.

"KOSTT mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të infrastrukturës transmetuese dhe realizimit të investimeve strategjike që kontribuojnë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës", njofton KOSTT.


MË SHUME NGA Ekonomi