Kontrollet ndaj mjeteve të rënda vazhdojnë në të gjithë vendin
E.Hoti/RTKlive
Ministria e Infrastruktures dhe Transportit ka njoftuar se kontrollet ndaj mjeteve të rënda po vazhdojnë në të gjithë vendin, me qëllim respektimin e kufizimeve ligjore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë periudhës 14–21 gusht 2026, ekipet e Ministrisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kontrolluar peshën e 103 mjeteve të rënda. Në 30 raste janë evidentuar tejkalime të peshës së lejuar: 11 raste nga persona fizikë dhe 19 nga persona juridikë. Për këto shkelje janë shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 14,910 euro.
Kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje, pasi tejkalimi i peshës së lejuar dëmton infrastrukturën rrugore, rrezikon pjesëmarrësit në komunikacion dhe shkakton kosto shtesë për shtetin.
Pronarët e mjeteve dhe kompanitë transportuese ftohen t’i respektojnë kufizimet ligjore. Mbrojtja e investimeve publike dhe siguria në rrugë janë përgjegjësi e përbashkët.























