Trainkos sqaron dërgimin e pesë vagonëve për riparim në Zrenjanin
BKT
Ekonomi

Trainkos sqaron dërgimin e pesë vagonëve për riparim në Zrenjanin

N.M. /RTKlive

Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka reaguar lidhur me debatet për dërgimin e pesë vagonëve për riparim në Zrenjanin të Serbisë, duke sqaruar se tenderi për rehabilitimin e tyre ishte fituar nga kompania vendore “Profitech Sh.P.K.”.

Sipas Trainkos, tenderi ishte zhvilluar përmes procedurës së hapur të prokurimit publik dhe “Profitech” kishte qenë operatori i vetëm që kishte aplikuar. Ndërmarrja thekson se kompania fituese është përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve dhe se Trainkos nuk ka pasur të drejtë ligjore të ndikojë në këtë përzgjedhje.

Pas raportimeve në media, Trainkos ka kontaktuar kompaninë “Profitech” për të marrë sqarime rreth dërgimit të vagonëve në Zrenjanin. Sipas operatorit ekonomik, vagonët janë dërguar atje pasi vetëm kjo punishte kishte mundësi t’i riparonte dhe nuk kishte alternativë tjetër për kryerjen e punimeve.

Trainkos ka bërë të ditur se do të realizojë një vlerësim të pavarur për të parë nëse riparime të tilla mund të kryhen edhe nga operatorë në shtete të tjera dhe, nëse kjo rezulton e mundur, do të shqyrtojë opsionet brenda kornizës ligjore.

Ndërmarrja ka theksuar gjithashtu se vagonët në fjalë ishin blerë nga Gjermania në vitin 2017 dhe po atë vit ishin riparuar në Zrenjanin.

Në reagimin e saj, Trainkos ka demantuar edhe raportimet se një punonjës ishte larguar nga puna për shkak të rastit të vagonëve. Sipas ndërmarrjes, punonjësi është aktualisht në procedurë disiplinore për shkelje të detyrave të punës, përfshirë mosvijimin në punë.

Trainkos ka bërë thirrje që për informacione rreth këtij rasti të shfrytëzohen komunikimet zyrtare dhe institucionale, duke kërkuar ndalimin e, siç e ka quajtur, “fushatave keqinformuese”.

 


MË SHUME NGA Ekonomi