BQK vendos standarde të reja për mbrojtjen e konsumatorëve në sigurime
BKT
Ekonomi

BQK vendos standarde të reja për mbrojtjen e konsumatorëve në sigurime

V.Th / RTKLive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar dy rregullore të reja për mbrojtjen e konsumatorëve dhe sjelljen në treg në sektorin e sigurimeve.

Sipas BQK-së, rregulloret e reja vendosin standarde për zhvillimin dhe shpërndarjen e produkteve të sigurimit, informimin dhe transparencën ndaj klientëve, kostot dhe praktikat e reklamimit.

Bëhet fjalë për Rregulloren për Zhvillimin, Shpërndarjen dhe Qeverisjen e Produkteve të Sigurimit dhe Rregulloren për Informimin, Reklamimin, Kostot dhe Transparencën ndaj Klientëve në Sigurime.

BQK-ja thotë se me këto rregullore mbrojtja e klientit shtrihet përgjatë gjithë ciklit jetësor të produktit të sigurimit, nga dizajnimi dhe aprovimi i produktit, përcaktimi i tregut të synuar dhe mënyra e shpërndarjes, deri te informimi, transparenca e kostove, reklamimi, monitorimi dhe masat korrigjuese.

Sipas rregullores për zhvillimin dhe qeverisjen e produkteve, produktet e sigurimit duhet të dizajnohen dhe shpërndahen duke marrë parasysh “nevojat, objektivat, karakteristikat dhe profilin e rrezikut të klientëve për të cilët janë të destinuara”.

Ndërkaq, rregullorja për informimin, reklamimin, kostot dhe transparencën përcakton kërkesa për informimin e klientëve lidhur me karakteristikat e produktit, mbulimin, përjashtimet dhe kufizimet, primet, kostot dhe tarifat, si dhe të drejtat dhe detyrimet e tyre.

Një risi tjetër është standardizimi i Dokumentit Informues për Produktin e Sigurimit (DIPS) për produktet e sigurimit jo-jetë. Përmes këtij dokumenti, konsumatorët para lidhjes së kontratës do të kenë informacion të përmbledhur dhe të krahasueshëm për elementet kryesore të produktit.

BQK-ja ka përfshirë në mënyrë të strukturuar edhe konsumatorët e cenueshëm, duke kërkuar nga siguruesit dhe ndërmjetësuesit masa për trajtim të drejtë dhe qasje efektive në informacion dhe shërbime.

Korniza e re rregullative adreson edhe komunikimin përmes kanaleve digjitale, ndërsa kërkon që institucionet të vlerësojnë kuptueshmërinë dhe efektivitetin e informacionit që u ofrohet klientëve.

Sipas BQK-së, rregulloret forcojnë edhe përgjegjësinë e organeve drejtuese, funksioneve të kontrollit, pajtueshmërisë dhe auditimit të brendshëm për zbatimin dhe monitorimin e standardeve të mbrojtjes së klientit dhe sjelljes në treg.

Me këtë kornizë, BQK thotë se synon “të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë në tregun e sigurimeve”, të parandalojë praktikat e papërshtatshme të shitjes, të fuqizojë vendimmarrjen e informuar të konsumatorëve dhe të rrisë besimin në sektorin e sigurimeve.


MË SHUME NGA Ekonomi