Ismaili: Stabiliteti financiar dhe integrimi evropian përforcojnë njëri-tjetrin
V.Th / RTKLive
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se stabiliteti financiar dhe integrimi evropian janë objektiva që përforcojnë njëri-tjetrin.
Këtë deklaratë Ismaili e bëri në Konferencën Ndërkombëtare “Bankingu Qendror në një Mjedis me Rrezik të Lartë: Stabiliteti, Infrastruktura dhe Besimi”, e organizuar në Tivat me rastin e 25-vjetorit të Bankës Qendrore të Malit të Zi.
Duke folur për Kosovën si një ekonomi të vogël, të hapur dhe të euroizuar, Ismaili theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit financiar përmes rregullimit të kujdesshëm, mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, politikës makroprudenciale, sistemeve të qëndrueshme dhe efikase të pagesave dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Ai tha se kredibiliteti i bankës qendrore ndërtohet përmes “pavarësisë institucionale, vendimmarrjes profesionale dhe të bazuar në evidencë, qeverisjes së mirë, transparencës dhe rezultateve konkrete në përmbushjen e mandatit”.
Ismaili theksoi se pavarësia duhet të shoqërohet me llogaridhënie, integritet dhe komunikim efektiv.
Në konferencë, ai ishte pjesë e panelit “Kredibiliteti, Hapësira e Politikave dhe Përafrimi me BE-në në një Kontekst me Rrezik të Lartë”, së bashku me guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai foli edhe për transformimin digjital, fintech-un dhe inteligjencën artificiale, duke theksuar se krahas mundësive që ofrojnë, ato sjellin edhe rreziqe të reja kibernetike, operacionale dhe për mbrojtjen e konsumatorit.
Në margjinat e konferencës, Ismaili zhvilloi takime me drejtues të bankave qendrore evropiane dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ku diskutoi zhvillimet ekonomike dhe financiare dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.
Ndërsa në një takim me drejtorin e ri të Departamentit Evropian të FMN-së, Mateusz Szczurek, diskutoi zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.























