Kosova drejt SEPA-s, BQK-ja u kërkon bankave të përshpejtojnë përgatitjet
BKT
Ekonomi

Kosova drejt SEPA-s, BQK-ja u kërkon bankave të përshpejtojnë përgatitjet

E.Hoti/RTKlive

Banka Qendrore e Kosovës dhe sektori bankar po intensifikojnë përgatitjet për integrimin e vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), proces që pritet të lehtësojë dhe përmirësojë ndjeshëm pagesat ndërkufitare për qytetarët dhe bizneset.

Shoqata e Bankave të Kosovës ka organizuar punëtorinë “SEPA Implementation: Processes, Requirements and Next Steps”, ku morën pjesë përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), drejtues të bankave, institucioneve të pagesave dhe ekspertë të fushës.

Në fokus të punëtorisë ishin kërkesat për aderimin në skemat SEPA, përgatitjet teknike dhe operative, si dhe masat që bankat duhet të ndërmarrin për të siguruar gatishmërinë e tyre.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se integrimi në SEPA është një prej prioriteteve strategjike të institucionit dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimit financiar të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, procesi i integrimit në SEPA, së bashku me projektin TIPS Clone për pagesat e shpejta, paraqet një transformim të rëndësishëm të infrastrukturës së pagesave në Kosovë.

“Integrimi në SEPA përbën një nga prioritetet strategjike të BQK-së dhe një nga proceset më të rëndësishme për integrimin financiar të Kosovës me Bashkimin Evropian”, theksoi Ismaili.

Përmes njoftimit BQK thotë se ka avancuar me përgatitjet institucionale për SEPA-n, përmes përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullativ me kërkesat evropiane, përgatitjes së kornizës së aplikimit dhe koordinimit me institucionet vendore, sektorin financiar dhe partnerët ndërkombëtarë.

Një nga hapat e mbetur lidhet me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi.

Por, paralelisht me procesin institucional, BQK-ja po kërkon nga bankat që të intensifikojnë përgatitjet e tyre teknike dhe operative.

Sipas BQK-së, secila bankë dhe institucion i pagesave duhet ta trajtojë SEPA-n si një projekt strategjik, duke caktuar resurse të dedikuara, përgjegjësi të qarta dhe plane konkrete për zbatimin e kërkesave.


MË SHUME NGA Ekonomi