ASK rishikon Llogaritë Kombëtare, BPV-ja e re publikohet më 18 dhjetor
K. K. / RTKlive
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar të gjithë shfrytëzuesit e statistikave se është duke realizuar Rishikimin “Benchmark 2022” të Llogarive Kombëtare për periudhën 2008–2024, me qëllim të përmirësimit të cilësisë, saktësisë, gjithëpërfshirjes, konsistencës dhe krahasueshmërisë ndërkombëtare të statistikave të Llogarive Kombëtare, përfshirë Bruto Produktin Vendor (BPV).
ASK njofton se publikimi i serive të rishikuara të BPV-së është planifikuar të bëhet më 18 dhjetor 2026.
"Rishikimi “Benchmark 2022” bazohet në vitin 2022 si vit “benchmark” dhe përfshin zbatimin e përmirësimeve të rëndësishme metodologjike, integrimin e burimeve të reja dhe të përmirësuara të dhënave statistikore, si dhe përditësimin e metodave të përpilimit të Llogarive Kombëtare në përputhje me ESA 2010.
Procesi i Rishikimit “Benchmark 2022” po realizohet me mbështetje teknike dhe udhëzime metodologjike nga ekspertët e Eurostat-it në kuadër të projektit IPA 2022. Kjo mbështetje synon të sigurojë që përmirësimet metodologjike dhe zbatimi i rishikimit të jenë në përputhje me ESA 2010, rekomandimet përkatëse të Eurostat-it dhe standardet e praktikat e mira ndërkombëtare të Llogarive Kombëtare", njofton ASK.
Përmirësimet kryesore të parashikuara
• Përmirësimi i vlerësimeve të prodhimit dhe konsumit të ndërmjetëm, duke rritur përdorimin e të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve (ASN/SBS);
• Integrimi i rezultateve nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024;
• Përmirësimi i vlerësimeve të qirasë së imputuar duke përdorur të dhënat e Regjistrimit të Popullsisë 2024;
• Përmirësime në vlerësimet e bujqësisë, përfshirë rishikimin e çmimeve të vitit paraprak (PYP) për të gjithë serinë kohore;
• Përmirësimi i Shpenzimeve të Konsumit Final të Ekonomive Familjare (HFCE), përfshirë zbatimin e COICOP 2018;
• Përmirësime në Formimin Bruto të Kapitalit Fiks (GFCF);
• Përmirësimi i lidhjes zinxhirore vjetore dhe tremujore, përfshirë zbatimin e teknikës “Annual Overlap”;
• “Back-casting” i serisë vjetore të BPV-së nga viti “Benchmark 2022” deri në vitin 2008 dhe përpilimi i vlerësimeve të rishikuara për vitet 2023–2024;
• Analiza, balancimi dhe, aty ku është e realizueshme, integrimi i Tabelave të Furnizimit dhe Përdorimit për vitin 2022 (SUT 2022) në rishikimin “Benchmark”.
Ekonomia e Pavëzhguar (NOE)
Një komponent i rëndësishëm i rishikimit të BPV-së do të jetë përmirësimi dhe zgjerimi i vlerësimit të Ekonomisë së Pavëzhguar (NOE). Në këtë kuadër, në përputhje me metodologjitë dhe standardet ndërkombëtare, do të integrohen dhe përmirësohen vlerësimet për tipe të ndryshme të ekonomisë së pavëzhguar, duke përfshirë raportimin e pasaktë të bizneseve, punësimin joformal, aktivitetet ilegale, aktivitetet e ekonomive familjare si punëdhënës të personelit shtëpiak, si dhe aktivitete të caktuara prodhuese që kërkojnë trajtim shtesë në kuadër të gjithëpërfshirjes së BPV-së.
Pas përfundimit të rishikimit të Llogarive Kombëtare Vjetore, Llogaritë Kombëtare Tremujore do të harmonizohen me vlerësimet e reja vjetore, përfshirë përmirësimet në lidhjen zinxhirore dhe në përshtatjen sezonale dhe kalendarike.
ASK-ja thotë se do të kryejë kontrolle gjithëpërfshirëse të cilësisë dhe konsistencës ndërmjet BPV-së sipas qasjes së prodhimit, qasjes së shpenzimeve dhe BPV-së tremujore. Ndikimi i rishikimit në nivelin e BPV-së, normat e rritjes dhe masat në vëllim do të analizohen dhe do të dokumentohen.
Njoftim lidhur me publikimin e BPV-së për vitin 2025
ASK-ja njofton shfrytëzuesit se publikimi i BPV-së vjetore për vitin 2025, i paraparë sipas Kalendarit të Publikimeve për muajin shtator 2026, do të shtyhet dhe do të publikohet më 18 dhjetor 2026, së bashku me seritë kohore të rishikuara në kuadër të Rishikimit “Benchmark 2022”.
Në muajin shtator 2026, BPV-ja për vitin 2025 do të publikohet vetëm si shumë e katër tremujorëve të vitit 2025, bazuar në vlerësimet tremujore të publikuara.
Vlerësimi i plotë vjetor i BPV-së për vitin 2025 do të publikohet më 18 dhjetor 2026, pas përfundimit të procesit të rishikimit dhe harmonizimit të serive kohore në baza vjetore dhe tremujore.
Publikimi i rezultateve
Paketa finale e publikimit, e planifikuar për 18 dhjetor 2026 do të përfshijë seritë e rishikuara vjetore dhe tremujore të BPV-së, BPV-në sipas qasjes së prodhimit dhe shpenzimeve, vlerësimet e rishikuara me çmime aktuale dhe me çmimet e vitit paraprak, masat e lidhura zinxhir, si dhe dokumentacionin metodologjik, metadatat e përditësuara dhe raportin e analizës së rishikimit.
Përmes këtij Rishikimi “Benchmark”, ASK-ja synon ta përmirësojë më tej saktësinë, gjithëpërfshirjen, konsistencën dhe krahasueshmërinë ndërkombëtare të Llogarive Kombëtare të Kosovës.
ASK-ja thekson se do t’i mbajë shfrytëzuesit të informuar për zhvillimet dhe rezultatet e Rishikimit “Benchmark 2022” përmes web-faqes zyrtare dhe kanaleve të tjera të komunikimit.























