Panairi `Toka jonë, shija juaj”`promovon prodhimet e Kosovës
Zenel Hajrizi/RTK
Panairi i produkteve vendore “Toka Jonë, Shija Juaj” me prodhime vendore për dy ditë do të jetë mundësi e promovimit të prodhimeve bujqësore vendore, derisa për qëllim ka avancimin, kultivimin, prodhimin dhe konsumimin e prodhimeve vendore si dhe mundësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit në mes prodhuesve, përpunuesve dhe konsumit.
Është hapur panairi dyditor me prodhime vendore. Sadete Gecaj, pjesëmarrëse në këtë panair, e cila merret me prodhimin e mjaltit, thotë se secili prodhim vendor është një mundësi më shumë për punësim, zhvillim dhe ekonomi më të qëndrueshme.
“Kemi bashkëpunime, janë të interesuar sado pak me ia ditë vlerën këtij prodhimi vendor, janë të kënaqur”, tha Sadete Gecaj, përpunuese e produkteve vendore.
Ndërkohë përpunuesja e pemëve të imëta dhe perimeve, Shahe Istrefi, thotë se prodhimet vendore janë djersë, përkushtim, traditë dhe dëshmi e një vendi që di të krijojë
“I kam sjellë produktet e mia, bio janë nga dora ime që i përpunoj edhe në fakt që kam kryer shkollë. I posedoj edhe pemët dhe perimet e mia janë të freskëta meqenëse i kam mjetet e freskëta që i sjelli prej arës time prej bahçes”, tha Istrefi.
I pranishëm në këtë panair ishte edhe Avdullah Krasniqi, i cili ka sjellë përvojën zvicerane në Kosovë. Ai krahas prodhimit kërkon mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit të njeriut.
“Ne duhet ta mbrojmë edhe natyrën, duhet ta mbrojmë edhe në të gjitha aspektet tjera. Kur ta mbrojmë natyrën atëherë e mbrojmë edhe shëndetin tonë, pra me një fjalë ne duhet këto prodhime t’i përdorim sa më shumë posaçërisht prodhimet stinore”, tha Avdullah Krasniqi.
Organizatori i panairit, Hartim Gashi, vlerëson panairet derisa konsideron që këto takime i tejkalojnë përmasat e blerjes së prodhimeve vendore.
“Me plot besim edhe në shumicën e rasteve prodhimet e produkteve të prodhuara në Kosovë nga kompanitë tona janë shumë më të mira dhe më të sigurta se shumica e produkteve që i importojmë”, tha Gashi.
Prodhuesit tanë po dëshmojnë se cilësia, inovacioni dhe këmbëngulja mund të shndërrohen në sukses. Ndërsa mbështetja e tyre është investim në mirëqenien dhe në fuqizimin e ekonomisë së vendit.























