Më shumë fluturime dhe udhëtarë në korrik 2026 sesa një vit më parë
E.Hoti/RTKlive
Numri i fluturimeve dhe udhëtarëve në transportin ajror në Kosovë është rritur gjatë muajit korrik 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë korrikut janë realizuar 3 mijë e 254 fluturime, që paraqet një rritje prej 4.5 për qind krahasuar me korrikun e vitit 2025.
Edhe numri i udhëtarëve ka shënuar rritje. Në total, gjatë këtij muaji janë regjistruar 475 mijë e 269 udhëtarë, ose 3.8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndryshe paraqitet situata në transportin hekurudhor. Në korrik 2026, me tren kanë udhëtuar 7 mijë e 126 persona, duke shënuar një rënie prej 5.9 për qind krahasuar me korrikun 2025. Sipas ASK-së, gjatë këtij muaji nuk është transportuar asnjë sasi mallrash përmes hekurudhës.
Të dhënat e ASK-së tregojnë rritje edhe në përdorimin e telefonisë fikse. Në korrik, rrjeti i telefonisë fikse kishte 70 mijë e 104 përdorues, 3.2 për qind më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë, trafiku i realizuar në telefoninë fikse arriti në 2 milionë e 318 mijë e 571 minuta, me një rritje prej 9.7 për qind.
Edhe telefonia mobile ka shënuar rritje. Numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) ishte 1 milion e 679 mijë e 450, ose 3.55 për qind më shumë krahasuar me korrikun e vitit 2025.
Numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) arriti në 323 mijë e 728, duke shënuar një rritje prej 1.37 për qind.
Të dhënat janë pjesë e publikimit mujor të ASK-së për Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit për korrikun 2026.























