Dita Ndërkombëtare e Limfomave
BKT
Shëndetësi

Dita Ndërkombëtare e Limfomave

Shqipe Gashi|RTKlive

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Limfomave, Dr. Afërdita Ukimeraj, drejtoreshë në Klinikën e Hematologjisë, dhe Dr. Viola Qavolli, hematologe, ishin të ftuara në programin e mëngjesit, ku folën për limfomat, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mundësitë e trajtimit të tyre.

Dr. Afërdita Ukimeraj foli për iniciativën e Klinikës së Hematologjisë për ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth limfomave.

“Është hera e parë që ne si klinikë po ndërmarrim iniciativë të tillë për me shënu Ditën Ndërkombëtare të Limfomave me qëllim ndërgjegjësimit të popullatës. Shumica e popullatës nuk e dinë çka janë limfomat, nuk kanë pas kontakt me mjekun, nuk kanë pas njohuri që këto sëmundje janë sëmundje që edhe trajtohen edhe diagnoztikohen te ne, në Kosovë, në Klinikën e Hematologjisë”, tha Dr. Afërdita Ukimeraj.

Ajo theksoi se diagnostikimi i hershëm është i rëndësishëm për suksesin e trajtimit.

“Duhet me pas një kujdes më të madh me u diagnoztiku sa më herët që edhe trajtimet me qenë efikas edhe me pas një sukses. Duhet me thënë që limfomat janë sëmundje të cilat trajtohen, arrijnë me u shëru, domethënë nuk janë sëmundje që përfundojnë gjithmonë me fatalitet”, tha Dr. Ukimeraj.

Ndërkaq, Dr. Viola Qavolli shpjegoi se si u komunikohet pacientëve diagnoza dhe se limfoma, pavarësisht se është sëmundje malinje, në shumë raste mund të trajtohet me sukses.

“Ne i shpjegojmë që në momentin e diagnoztikimit se çfarë është limfoma, që mos të tremben fillimisht, i themi edhe pse është një sëmundje malinje, pra jo e mirë, e sistemit limfatik që karakterizohet nga rritja e nyjeve e tjerë e tjerë, ne i thejmë që kjo sëmundje ka shumë shanse që të shërohet”, tha Dr. Viola Qavolli.

Ajo bëri të ditur se një pjesë e madhe e pacientëve shërohen plotësisht, ndërsa të tjerët mund ta mbajnë sëmundjen nën kontroll për vite me radhë.

“Gati 60% shërohen komplet, 40% mund të ndiqen në mënyrë kronike për shumë vite me radhë. Pra kualiteti i jetës është i mirë, terapia është kimioterapia ose imunoterapia dhe pacienti jo vetëm që mban edhe cilësinë e jetës, por edhe sëmundjen nën kontroll”, tha Dr. Qavolli.


MË SHUME NGA Shëndetësi