Panairi ndërkombëtar "Prishtina 2026"|VIDEO
BKT
Ekonomi

Panairi ndërkombëtar "Prishtina 2026"|VIDEO

Ahmet Maholli/RTK

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2026” ka mbledhur prodhues, biznese dhe kompani që po prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre. Pjesëmarrësit e konsiderojnë këtë ngjarje një mundësi për promovimin e prodhimit vendor dhe krijimin e kontakteve të reja me konsumatorë e partnerë.

Në hapje, përfaqësues të institucioneve dhe Odës Ekonomike të Kosovës theksuan rëndësinë e panaireve për zgjerimin e tregut dhe bashkëpunimin me vendet evropiane.

Prodhues e biznese të shumta që po i prezantojnë produktet e tyre thonë se ky panair është edhe një mundësi e mirë për t’i promovuar dhe për t’u njohur konsumatorët me produktet e tyre.

Në këtë panair, po merr pjesë edhe Fortan Pireva, inxhinier I softverit. Ai ofron për konsumatorë aplikacion për tregun e brendshëm por edhe të jashtëm.

“Është një platformë për menaxhimin e pajisjeve që mbushin automjetet me rrymë. Është një sistem  i centralizuar ku mund të ketë qasje nëpërmjet userit ose aplikacionit mobil ku bëhet mbushja e automjetit”, tha Fortan Pireva, inxhinier I softverit.

Në hapje të panairit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se ngjarje të tilla janë të rëndësishme për të parë nga afër potencialin e prodhuesve dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me tregjet evropiane.

“Ky panair na mundëson që të shohim që mbas çdo produkti ka një investim shumë të madh, ka një inovacion, po ka edhe një dëshirë për të arritur më shumë. Dhe duke pasur parasysh që ekonomia jonë, siç e dimë primare, ka integrimin në Bashkimin Evropian, pikërisht për këtë shërben edhe panairi”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

“Nga Ministria që drejtoj, në këtë vit, në vitin 2026, kemi ndihmuar mbi 74 kompani vendore për pjesëmarrjen në nëntë panaire ndërkombëtare, ndërsa në to janë promovuar mbi 1,200  produkte Made in Kosova”, tha Mimoza Kusari-Lila, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë .

Ndërkohë, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, panairin e cilësoi si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e sipërmarrjes, produkteve dhe investimeve, duke vënë theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Për mua është kënaqësi dhe nder të jem këtu sot në hapjen e këtij panairi të përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2026”, një prej hapësirave të rëndësishme për promovimin e sipërmarrjes, produkteve, të investimeve dhe të mundësive të reja të bashkëpunimit ekonomik”, tha Petrit Malaj, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.

Pjesë e panairit ishte edhe Komuna e Prishtinës, e cila po prezanton punën dhe mbështetjen për bujqësinë dhe prodhuesit vendorë.

Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, tha se panairi është një mundësi për promovimin e produkteve vendore dhe krijimin e partneriteteve të reja.


MË SHUME NGA Ekonomi