Luledeilli premton rendimente rekord
BKT
Ekonomi

Luledeilli premton rendimente rekord

Fadil Sertolli/RTK

Kushtet e favorshme klimatike dhe përvoja e fermerëve kanë bërë që këtë vit luledielli të premtojë rendimente rekord. Në Ferizaj dhe Podujevë, qindra hektarë janë mbjellë me këtë kulturë, e cila po dëshmohet gjithnjë e më e qëndrueshme ndaj temperaturave të larta, sëmundjeve, por edhe breshrit. Megjithatë, fermerët thonë se për zhvillimin e mëtejmë të kësaj kulture nevojitet edhe përpunimi i saj në vend.

Është viti i katërt që merret me kultivimin e lulediellit. Shukri Sallahu, këtë vit, në dy fshatra të Komunës së Ferizajt, Bibaj dhe Zllatar, ka kultivuar rreth 80 hektarë me këtë kulturë.

Falë kushteve të mira klimatike, Sallahu këtë vit pret rendiment rekord.

Ai thotë se përgatitja e tokës dhe zbatimi i masave të duhura agroteknike janë ndër faktorët kryesorë për një prodhim të suksesshëm. Sallahu potencon veçanërisht nevojën për kujdes të shtuar ndaj barojave, pasi, siç thotë ai, një lloj i tyre mund të jetë veçanërisht problematik për lulediellin.

Përveç rendimentit të kënaqshëm edhe në temperatura të larta, Sallahu thotë se luledielli po dëshmohet më i qëndrueshëm se kulturat e tjera lavërtare edhe në përballje me breshrin.

“Këtë vit, falë kushteve të mira klimatike, presim rendiment rekord. Për lulediellin është shumë me rëndësi përgatitja e tokës dhe zbatimi i drejtë i masave agroteknike. Kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet edhe barojave, sepse një lloj i tyre mund të jetë shumë problematik”, thotë Sallahu për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Sa i përket tregut, Sallahu thotë se prodhimin e shesin jashtë vendit dhe se shitjen pothuajse e kanë të garantuar, falë cilësisë së lulediellit që po kultivojnë tash e katër vjet. Edhe çmimin e vlerëson të mirë.

Por, sipas tij, për zhvillimin e mëtejmë të kësaj kulture në Kosovë nevojitet ndërtimi i një fabrike për përpunimin, përkatësisht shtrydhjen e farës së lulediellit.

“Shitjen e kemi jashtë vendit dhe pothuajse e kemi të garantuar. Luledielli që po e kultivojmë këto katër vjet është cilësor dhe edhe çmimi është i mirë. Por për zhvillimin e mëtejmë të kësaj kulture do të ishte shumë e nevojshme të hapet një fabrikë që do ta shtrydhte lulediellin”, thotë ai.

Subvencionet për këtë kulturë, Sallahu i vlerëson të mira, ndërsa planifikon që vitin e ardhshëm të vazhdojë me rritjen e sipërfaqeve të mbjella me luledielli.

Në Komunën e Ferizajt, me kultivimin e lulediellit merret edhe Alberton Sahiti. Këtë vit ai ka mbjellë 20 hektarë me këtë kulturë.
Falë kushteve të mira klimatike dhe rritjes së përvojës në kultivimin e saj, Sahiti thotë se këtë vit rendimenti pritet të jetë rekord.

Ai pret që rendimenti të jetë mbi 3 tonë për hektar, derisa vitin e kaluar kishte realizuar rreth 2 tonë për hektar.

“Këtë vit presim mbi 3 tonë për hektar. Vitin e kaluar kemi pasur rreth 2 tonë për hektar. Kushtet klimatike kanë qenë shumë të mira, ndërsa edhe përvoja në kultivim po rritet çdo vit”, thotë Sahiti për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Kushtet e favorshme klimatike, përveç rritjes së rendimentit, kanë pasur edhe një efekt tjetër pozitiv te kjo kulturë, pasi sipas Sahitit, këtë vit janë paraqitur më pak sëmundje.

Edhe ai potencon qëndrueshmërinë e lartë të lulediellit në përballje me breshrin.

Prodhimin edhe Sahiti e shet jashtë vendit, ndërsa çmimin e vlerëson të mirë. Edhe subvencionet për këtë kulturë i konsideron të mira.

Por, nëse nuk realizohet ndërtimi i një fabrike për shtrydhjen e lulediellit, Sahiti thotë se të paktën për Komunën e Ferizajt do të duhej të ndërtohej një pikë grumbulluese për fermerët. Kjo komunë, e cila edhe më parë është shquar për kultivimin e lulediellit, këtë vit llogaritet të ketë rreth 250 hektarë të mbjellë me këtë kulturë.

“Nëse nuk bëhet fabrika për shtrydhjen e lulediellit, do të ishte mirë që së paku në Ferizaj të ndërtohet një pikë grumbulluese për fermerët. Kjo komunë ka traditë në kultivimin e lulediellit dhe vetëm këtë vit janë rreth 250 hektarë të mbjellë me këtë kulturë.”

Ndërkohë, rendiment rekord të lulediellit këtë vit pret edhe Patrioti Sejdiu nga Komuna e Podujevës. Ai këtë vit ka mbjellë 130 hektarë tokë me këtë kulturë.

Sejdiu thotë se rendimenti pritet të jetë mbi 3 tonë për hektar.

Edhe në këtë komunë, falë kushteve të mira klimatike, sëmundjet kanë qenë më të pakta te kjo kulturë.

Luledielli, përveç produkteve që shërbejnë për njerëzit, kafshët dhe shpezët, si dhe rolit pozitiv që ka në përpunimin dhe përmirësimin e tokës, shërben edhe si ushqim shumë i nevojshëm për bletët.
Sa i përket tregut, Sejdiu thotë se shitjen pothuajse e ka të garantuar, ndërsa pret që edhe çmimi të jetë i mirë.

“Shitjen pothuajse e kemi të garantuar dhe presim që edhe çmimi të jetë i mirë. Kjo është një kulturë që po tregohet e qëndrueshme dhe që po jep rezultate të mira”, thotë Sejdiu për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Edhe Sejdiu vlerëson se në Kosovë është e nevojshme të hapet një fabrikë që merret me shtrydhjen e farës së lulediellit, në mënyrë që kjo kulturë të mos eksportohet si lëndë e parë, por të përpunohet dhe të finalizohet si produkt vendor.

“Është e nevojshme të hapet një fabrikë për shtrydhjen e farës së lulediellit, në mënyrë që të mos e eksportojmë lulediellin, por ta përpunojmë këtu dhe ta nxjerrim si produkt final vendor.”

Subvencionet për këtë kulturë, edhe Sejdiu i vlerëson të mira.

Përveç pasurimit të tokës me materie organike, luledielli ka edhe një rol të rëndësishëm në strukturën dhe përmirësimin e tokës. Përmes rrënjëve të tij, të cilat zhvillohen në thellësi, kjo kulturë arrin të drenazhojë tokën më tepër se kulturat e tjera lavërtare. Këtë e shpjegon agronomi Agim Kasumi nga Ferizaj.

Sipas Kasumit, sëmundjet që prekin lulediellin janë të ngjashme me ato që paraqiten edhe te kulturat e tjera.
“Luledielli, përveç pasurimit të tokës me materie organike, ka një rol shumë të rëndësishëm edhe në strukturën e tokës.

"Rrënjët e tij zhvillohen në thellësi dhe mundësojnë drenazhimin e tokës më shumë se te kulturat e tjera lavërtare”, thotë Kasumi për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Agronomi Kasumi u bën thirrje fermerëve që gjatë përzgjedhjes së farës së lulediellit, përveç qëndrueshmërisë ndaj sëmundjeve, ta marrin për bazë edhe trashësinë e masës sfungjerore në kokën e lulediellit, e cila ndikon në lëshimin e lagështisë te frutat.

“Kur bëhet përzgjedhja e farës së lulediellit, fermerët, krahas qëndrueshmërisë ndaj sëmundjeve, duhet të marrin për bazë edhe trashësinë e masës sfungjerore në kokën e lulediellit. Kjo ka ndikim në lëshimin e lagështisë te frutat dhe në cilësinë e prodhimit.”

Kështu, luledielli po shënon një sezon të favorshëm në disa prej zonave më të njohura bujqësore të Kosovës. Rendimentet që pritet të kalojnë 3 tonë për hektar, sipërfaqet gjithnjë e më të mëdha dhe kërkesa e sigurt për prodhimin, po e bëjnë këtë kulturë gjithnjë e më të rëndësishme për fermerët.
Por, për ta çuar këtë sektor një hap më tej, fermerët shohin si domosdoshmëri përpunimin vendor të farës së lulediellit, përmes ndërtimit të një fabrike ose, së paku, krijimit të pikave të organizuara të grumbullimit.


MË SHUME NGA Ekonomi