Kaçaniku: Konsolidimi i tregut do të ndikonte në çmime dhe furnizim
BKT
Ekonomi

Kaçaniku: Konsolidimi i tregut do të ndikonte në çmime dhe furnizim

Sh.G|RTKlive

Rritja e çmimeve të produkteve bazë po vazhdon të rëndojë buxhetin e qytetarëve, ndërsa Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, në një deklaratë për RTK, ka kërkuar që qytetarët të kenë rol më të madh në hartimin e politikave ekonomike dhe të çmimeve.

Kaçaniku tha se qytetarët nuk janë vetëm konsumatorë, por edhe taksapagues dhe gjenerues të buxhetit të shtetit.

“Politikat nuk mund dhe nuk duhet të bëhen pa qytetarin konsumator, i cili është parapagues”, tha ai.

Sipas Kaçanikut, institucionet duhet të punojnë në konsolidimin e tregut, në vend se të fokusohen vetëm në vendosjen e një tavani të çmimeve.

“Neve nuk na duhet vetëm politika e tavanit të çmimeve. Qeveria duhet ta përfundojë konsolidimin e tregut”, deklaroi Kaçaniku.

Ai tha se një treg i konsoliduar do të mund të ndikonte në rregullimin e çmimeve dhe furnizimit.

“Po të kishim treg të konsoliduar, tregu do të vepronte si rregullator i çmimeve dhe furnizimeve”, tha Kaçaniku.

Ai theksoi se edhe zhvillimet në tregun global ndikojnë në Kosovë, por sipas tij, problemet me furnizimin dhe çmimet lidhen edhe me mënyrën se si funksionon tregu i brendshëm.


MË SHUME NGA Ekonomi