Kërkohet zhbllokimin urgjent të procedurave për pronën publike
BKT
Ekonomi

Kërkohet zhbllokimin urgjent të procedurave për pronën publike

Sh.Ç/RTKlive

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon ndërhyrje urgjente nga Qeveria për të eliminuar pengesat administrative që po bllokojnë bizneset dhe investimet në shfrytëzimin e pronës publike.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me kërkesë për ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave që lidhen me shfrytëzimin e pronës publike dhe për përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike.

DHTIK shpreh shqetësimin për vonesat dhe pengesat administrative me të cilat po përballen bizneset, duke theksuar se këto procedura po ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik, humbjen e tregut dhe vendeve të punës, vonesat në investime, si dhe sigurinë juridike të bizneseve.

Sipas DHTIK-së, pavarësisht se Qeveria e Kosovës u ka dhënë dritën e gjelbër tri kompanive për shfrytëzimin e pronës publike, ato ende nuk kanë mundur të fillojnë aktivitetin e tyre. Arsyeja lidhet me kushtëzimin e kontratave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës me përfundimin e procedurës për ndërrimin e destinimit të tokës.

Dhoma vlerëson se kjo procedurë është dashur të përfundojë para nënshkrimit të kontratave, në mënyrë që kompanitë të mos përballen me pengesa të mëtejshme administrative pas marrjes së të drejtës për shfrytëzimin e pronës.

DHTIK thekson gjithashtu se mosfinalizimi i këtyre procedurave ka pamundësuar vazhdimin e procesit për marrjen e lejeve të nevojshme pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), duke i lënë kompanitë të bllokuara edhe pas lidhjes së kontratave.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Dhoma është kompleksiteti i procedurave dhe numri i madh i institucioneve të përfshira. Sipas DHTIK-së, për shkak të burokracisë, një biznes mund të presë pothuajse një vit për përfundimin e procesit të marrjes së lejes për shfrytëzimin e pronës publike.

“Janë me qindra kërkesa të deponuara prej kohësh në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të cilat vazhdojnë të mos përcillen në Zyrën për Administrimin e Pronës Publike për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e DHTIK-së.

Dhoma e lidh këtë situatë edhe me rritjen e importit të zhavorrit. Duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, DHTIK thotë se është evidentuar rritje e vazhdueshme e importit të këtij materiali, ndërsa Serbia prin në listën e vendeve nga të cilat importohet zhavorri.

Sipas DHTIK-së, vonesat në aktivizimin e kapaciteteve vendore ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e kompanive dhe në realizimin e projekteve e investimeve.

Përballë kësaj situate, Dhoma kërkon rishikim tërësor të procedurave, me qëllim eliminimin e burokracisë së panevojshme, reduktimin e numrit të institucioneve të përfshira dhe shkurtimin e afateve për trajtimin e kërkesave.

DHTIK e konsideron urgjente përfundimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike, si dhe krijimin e një mekanizmi të qartë për koordinimin ndërinstitucional dhe përcjelljen e kërkesave.

Sipas Dhomës, për secilin institucion duhet të përcaktohen afate të qarta për trajtimin e kërkesave, me synim krijimin e një kuadri më të qartë, efikas dhe të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.


MË SHUME NGA Ekonomi