BQK forcon bashkëpunimin me Kroacinë në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë
BKT
Ekonomi

BQK forcon bashkëpunimin me Kroacinë në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë

K. K. / RTKlive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka zhvilluar misionin e parë dypalësh me Bankën Kombëtare të Kroacisë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë dhe edukimit financiar.

Gjatë takimit me ekspertët kroatë, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi se mbrojtja e konsumatorëve financiarë, transparenca e tregut dhe rritja e besimit të publikut në sistemin financiar mbeten prioritete strategjike të institucionit.

Misioni u zhvillua nga 22 deri më 24 shtator, në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

Gjatë takimeve u diskutuan praktikat evropiane për mbikëqyrjen e sjelljes në treg, trajtimin e ankesave, cilësinë e të dhënave, edukimin financiar dhe qasjen e bazuar në rrezik në mbikëqyrje.

Në kuadër të misionit, zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku Shala dhe ekipi i saj diskutuan me ekspertët kroatë për ecurinë e projektit dhe hapat e ardhshëm.

BQK vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Kombëtare të Kroacisë, Bashkimin Evropian dhe Sistemin Evropian të Bankave Qendrore si të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane.


MË SHUME NGA Ekonomi