Hoti dhe Rafuna diskutojnë për tregun e punës dhe inteligjencën artificiale
M.Sh/RTKLive
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka pritur në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, me të cilin ka diskutuar për tregun e punës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Në takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të OEK-ut, në fokus ishin përshtatja e politikave të punësimit dhe aftësimit profesional me nevojat e sektorit privat, si dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në tregun e punës në Kosovë.
Ministri Hoti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me OEK-un për përafrimin e politikave të punësimit me kërkesat e sektorit privat.
Të dyja palët janë zotuar për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Ndërkaq, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka prezantuar aktivitetet dhe synimet e Odës, duke shprehur gatishmëri për mbështetjen e nismave të përbashkëta dhe duke vlerësuar angazhimin e Ministrisë.























