Mishi i skaduar nga Brazili, AUV ashpërson kontrollet
BKT
Ekonomi

Mishi i skaduar nga Brazili, AUV ashpërson kontrollet

E.Hoti/RTKlive

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ashpërsuar masat e kontrollit dhe ka vendosur nën mbikëqyrje të rreptë e të vazhdueshme operatorin ekonomik "Apetit", pas alarmit të ngritur për një dërgesë mishi me origjinë nga Brazili, e cila dyshohet se kishte si destinacion tregun e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës janë në kontakt të përditshëm me organet kompetente të sigurisë ushqimore në Malin e Zi. Ndërsa rasti atje po trajtohet aktualisht nga Dogana e Malit të Zi dhe AUV është në pritje të raporteve të plota zyrtare, institucioni kosovar ka reaguar pa vonesë që nga data 18 shtator duke nisur inspektime gjithëpërfshirëse në teren.

“Pavarësisht kësaj, nga data 18 Shtator AUV menjëherë ka iniciuar kontroll të detajuar. Biznesi është duke u mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga data e nisjes se inspektimeve. Informacionet e reja të pranuara sot, do të përfshihen dhe plotësojnë kontrolli e plotë ne vijimësi”, thuhet në njoftrim.

Sipas AUV, ekipi inspektues është urdhëruar të përfshijë në kontrolle të gjitha informatat relevante për të siguruar gjurmueshmëri të plotë mbi dërgesat me produkte. dosjet me dokumentacionin e importit dhe origjinës, afatet e përdorimit, sasitë e importuara dhe të shpërndara, si dhe destinacionet e produkteve të vendosura në treg. Kontrolli është plotësuar me marrjen e mostrave dhe analizat përkatëse

Masat shtesë të kontrollit janë vendosur ne dy linjat e kontrollit kufitar mbi çdo ngarkesë ndërsa inspektorati i brendshëm është duke kryer kontrolle mbi të gjitha sasitë ne depo apo të vendosura ne treg. “Në kontrollin kufitar jemi duke bashkëpunuar ngusht me autoritete tjera përkatëse qe funksionojnë në kuadër të MIK. Verifikim i plotë para hyrjes së produkteve në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Nga AUV bëjnë me dije se çdo e gjetur e re do të përfshihet në dosjen e hetimit dhe se veprimet e mëtejshme do të varen nga niveli i rrezikut të identifikuar.

"Mbi çdo konstatim që konfirmon rrezikim të shëndetit publik, autoriteti pa vonesë do të ndërmarrë masat përkatëse, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen e menjëhershme nga tregu të secilit produkt që nuk plotëson kriteret ligjore", garantohet në njoftimin e AUV-së.

Institucioni ka premtuar transparencë të plotë me publikun. Nëse analizat konfirmojnë prezencën e ndonjë produkti të rrezikshëm në treg, AUV do të publikojë detajet e sakta të produktit bashkë me udhëzimet përkatëse për konsumatorët, duke garantuar se asnjë produkt i pasigurt nuk do të lejohet të hyjë apo të qëndrojë në tregun e Republikës së Kosovës. 

 


MË SHUME NGA Ekonomi